Ndryshimi i stemës së FK Deçiç nxit tensione politike dhe protesta në Mal të Zi

29/04/2025 14:25

Ndryshimi i stemës së klubit kampion në fuqi të Malit të Zi, FK Deçiç nga Tuzi, ka shkaktuar një valë reagimesh të forta politike dhe qytetare në vend.

Kalimi nga ngjyrat tradicionale bardh e blu në kuq e zi, – ka ndezur polemika të mëdha, duke e shndërruar një çështje sportive në një përplasje me prapavijë kombëtare dhe politike.

Ky vendim ka nxitur organizimin e një proteste nga opozita lokale DPS-PB dhe përkrahësit e stemës së vjetër, të cilët kërkojnë rikthimin e identitetit historik të klubit. Protestuesit, ndër ta edhe ish-lojtarë dhe figura publike, shprehën zemërimin ndaj ndryshimit, duke e quajtur atë një fshirje të traditës dhe historisë së FK Deçiçit.

Zejnel Muminoviç, një nga organizatorët e protestës, kërkoi publikisht anulimin e vendimit nga Këshilli i Komunës së Tuzit dhe rikthimin e stemës së vjetër. “Na ktheni simbolin e vendit, nuk ka alternativë për atë që kanë krijuar të parët tanë,” deklaroi ai, duke shtuar se protesta ishte vetëm fillimi i një lëvizjeje më të gjerë qytetare. Ish-kapiteni i klubit, Demir Ramoviç, tha se ndryshimi i stemës është i papranueshëm dhe theksoi se ngjyrat bardheblu janë identiteti i vërtetë i klubit.

Ndaj protestës ka reaguar ashpër kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i cili e cilësoi tubimin si një akt të dëshpëruar të opozitës, duke theksuar se qytetarët nuk e mbështesin mbrojtjen e “simboleve të një të kaluare të përçarë”. Ai deklaroi se ngjyrat e reja të stemës janë pjesë e një vizioni të ri për një Malësi moderne dhe evropiane, ‘e identitet, ndërsa shtoi se suksesi sportiv dhe pjesëmarrja në Evropë janë tregues të drejtimit të ri të klubit.

Edhe zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj reagoi duke thënë se “asnjë pikë apo detaj nga stema nuk do të ndryshojë, pavarësisht protestave të pak njerëzve të mbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve”. Ai ironizoi pjesëmarrjen e ulët në protestë dhe e lidhi kundërshtimin me nostalgji për një periudhë të kaluar kur Deçiçi luftonte për mbijetesë në ligën e dytë.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa debati për stemën e klubit ka tejkaluar fushën e sportit, duke reflektuar ndasitë etnike dhe politike në Mal të Zi, veçanërisht në komunën e Tuzit me shumicë shqiptare.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta