
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Kier Starmer kanë uruar kryeministrin Mark Carney për fitoren në zgjedhjet në Kanada.
“Lidhjet midis Evropës dhe Kanadasë janë të forta dhe po bëhen gjithnjë e më të forta“, tha sot Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Me padurim pres që ne të punojmë bashkë, si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda G7-ës. Ne do të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta demokratike, do të inkurajojmë multilateralizmin dhe do të bëhemi kampionë të tregtisë së lirë dhe të ndershme”, tha von der Leyen në një mesazh të publikuar nëpërmjet X.
Ndërsa Starmer shprehu gëzimin për faktin se “marrëdhëniet po forcohen” midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, dy vende që janë “aleatët, partnerët dhe miqtë tanë më të ngushtë”.
“Partneriteti ynë bazohet në një histori dhe vlera të përbashkëta, me një sovran të përbashkët dhe jam i kënaqur që marrëdhënia jonë po forcohet. E mirëpres udhëheqjen tuaj në çështjet ndërkombëtare dhe e di se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë në mbrojtje, siguri, tregti dhe investime”, tha Keir Starmer pas fitores në zgjedhjet parlamentare kanadeze të Partisë Liberale të Mark Carney, ish-guvernatorit të bankave qendrore të Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Top Channel