
Me projeksionet që e vendosin Partinë Liberale në rrugën drejt formimit të qeverisë së re të Kanadasë, Mark Carney është shumë pranë konfirmimit si kryeministër i ardhshëm i vendit – vetëm pak javë pasi mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau në mars.
Carney, një ekonomist me përvojë ndërkombëtare si ish-guvernator i Bankës së Anglisë, po hyn për herë të parë në një post politik. Ai ka ndërtuar profilin e tij politik mbi kompetencën ekonomike dhe vendosmërinë për të përballuar sfidat globale, veçanërisht tensionet me Shtetet e Bashkuara nën administratën e presidentit Donald Trump.
“E di që këto janë ditë të errëta. Ditët e errëta të shkaktuara nga një vend që nuk mund t’i besojmë më“, tha Carney.
Në fushatën e tij të shkurtër por intensive, Carney u zotua të kundërvihej ndaj luftës tregtare të iniciuar nga Trump, duke premtuar se do të mbrojë dhe forcojë ekonominë kanadeze.
Në të njëjtën kohë, ai ka propozuar politika që zhvendosin partinë në qendër, duke u distancuar nga disa nga masat më të kontestuara të paraardhësit të tij.
Ndër prioritetet e tij kryesore janë:
Heqja e taksës së karbonit, një lëvizje që synon të zbusë ndikimin ekonomik te familjet dhe bizneset.
Qëndrueshmëria mjedisore, por me qasje më pragmatike dhe jo ndëshkuese për sektorin industrial.
Kufizimi i madhësisë së qeverisë federale, për të rritur efikasitetin dhe përgjegjshmërinë.
Liberalizimi i tregtisë brenda Kanadasë, për të forcuar integrimin ekonomik ndërprovincial.
Sigurimi i kufijve, në përputhje me një prioritet të ndarë me administratën amerikane.
Top Channel