Konklava për zgjedhjen e Papës nis në 7 maj, tërhiqet kardinali më “i fuqishëm” italian!

29/04/2025 11:55

Kardinali Giovanni Angelo Becciu, dikur një nga figurat më të fuqishme në Vatikan, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në konklavën e fshehtë për zgjedhjen e Papës së ri.

Becciu qe urdhëruar nga Papa Françesku në vitin 2020 që të hiqte dorë nga “të drejtat dhe privilegjet” e një kardinali pas u përfshi në një skandal të madh financiar në Vatikan. Pas vdekjes së Papës argjentinas javën që shkoi, Giovanni Becciu nisi një apel në mbështetje të së drejtës së tij për të qenë në konklavë, por sot papritur, doli me një deklaratë ku njoftonte zyrtarisht tërheqjen e tij.

Kam vendosur t’i bindem, siç kam bërë gjithmonë, vullnetit të Papa Françeskut për të mos hyrë në Konklavë, teksa insistoj në pafajësinë time,” u shpreh ai.

76 vjeçari u dënua në vitin 2023 për përvetësime dhe mashtrim, e u dënua me pesë vjet e gjysmë burg, duke u bërë kardinali i parë që ndëshkohej nga gjykata penale e Selisë së Shenjtë. Megjithatë, ai ka pretenduar gjithmonë se është i pafajshëm dhe nisi një proces ankimi, që është ende në shqyrtim. Kardinalët zgjodhën 7 majin si datën për të filluar konklavën dhe për të zgjedhur një udhëheqës të ri për 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën. Gjatë takimit me dyer të mbyllura në Kapelën Sistine, kontakti me botën e jashtme është rreptësishtë i ndaluar.

Në vitet 2005 dhe 2013, konklavat zgjatën nga dy ditë. Me votat e tyre kardinalët vendosin jo vetëm për udhëheqësin e ri fetar të katolikëve, por edhe për kursin e Kishës.

Shumë kardinalë kanë shprehur dëshirën që të vazhdojnë të ndjekin fokusin e Françeskut duke u angazhuar për njerëzit në skajet e shoqërisë dhe për drejtësi sociale. Por midis konservatorëve ka disa që duan që kisha të ndjekë sërish më qartë mësimet thelbësore të katolicizmit, që ishin në fokus edhe nën papët e mëparshëm Gjon Pali II dhe Benedikti XVI.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta