
Themelet janë hedhur për ndërtimin e shkollës në Njësinë Administrative 14, Astir.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në godinën që parashikohet të mbajë 900 nxënës dhe 250 fëmijë të ciklit parashkollor në kopsht dhe çerdhe.
“Mirëserdhët në Astir zoti kryeministër. Kjo e sotmja është arritje historike për lagjen sepse që përpara 10 vitesh shqetësimi kryesor ka qenë që ish komunat nuk kishin kurrë të planifikuara objekte arsimore. Më në fund, ne kemi mundësi që të hapim themelet për shkollën e parë të lagjes të lagjes 14 të zonës së Astir për të gjithë banorët. Nuk ka pasur asnjë objekt në këtë zonë, e gjithë kjo lagje është lagje e re, siç ju e dini, ka qenë pjesë e planifikimit të komunës dhe komuna ka bërë planifikim ndërtesash dhe rrugësh, por të asnjë lloj objekti të shërbimeve publike, as qendra shëndetësore, as kopshte, as çerdhe. Ajo shkollë, që ne shohim sot është sipas moduleve që ne kemi për shkollat e reja, ku e maksimizojmë hapësirën për të pasur sa më shumë klasa dhe kapacitet, planifikohet për 900 nxënës për ciklin 9 vjeçar dhe nga ana tjetër e rrugës do të jetë kopshti dhe çerdhja për më shumë se 250 fëmijë, duke pasur 2 klasa çerdhesh dhe 4 klasa kopshti.”- shpjegoi Kryetarja e deleguar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani teksa shtoi se “Kemi dhe modelet e 2 shkollave të tjera që do të vazhdojnë më tej në Yzberisht për shkollë të mesme dhe 9 vjeçare me po të njëjtat kapacitete; shkolla e mesme është për 600 nxënës të shkollës së mesme dhe shkolla 9 vjeçare për 900 dhe pastaj njësoj çerdhja dhe kopshti në ambientin e shkollës 9 vjeçare që do t’i shërbejë zonës së Yzberishtit. Kështu që, nga hiç mendojmë që kemi disa objekte shumë të mira që janë këtu që do të lehtësojnë dhe peshën e shkollave që janë afër, John F. Kennnedy tek kthesa e Kamzës dhe Laprakës dhe shkollave të Kombinatit që kanë qenë të mbingarkuara për shkak të kësaj.”
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se fëmijët do t’i ndihmojë shumë fakti që edhe ciklin parashkollor edhe shkollën 9 – vjeçare mund t’i kryejnë në të njëjtin vend.
“Do të jenë 900 nxënës kryesisht gjithë ciklin e arsimit 9-vjeçar dhe do kemi dhe dy klasa parashkollore dhe kjo është e rëndësishme sepse të gjithë ata nxënës apo fëmijë të vegjël, që duhet të shkojnë në kopsht, në pamundësi, mund të kapin ciklin parashkollor dhe më pas të integrohen direkt këtu. Do kemi dhe klasë burimore për nxënësit me aftësi ndryshe. Tashmë jemi duke e përfshirë në të gjitha shkollat si një standard të vendosur, duke qenë se kemi dhe mësuesit ndihmës, ndërkohë sa i përket stafit mësimor, tashmë dhe me reduktimin e shkollave me dy turne që bashkia e Tiranës ka bërë një punë shumë të mirë dhe i kemi reduktuar me 57% shkollat me 2 turne, kanë mbetur dhe 25 shkolla, të cilat me rritjen e kapaciteteve, shkolla të reja, 5 janë në ndërtim ku kemi dhe zgjerim kapacitetesh, besoj që do ta eliminojmë në 4 vjeçarin e ardhshëm.” –u shpreh ajo teksa theksoi se ky është një premtim i mbajtur për komunitetin e Astirit.
“Ky është një premtim i mbajtur dhe i gjithë komuniteti i Astirit është shumë i kënaqur me realizimin e këtij investimi ndërkohë që do kemi dhe shkollë 9 vjeçare, shkollë të mesme në Kashar. Edhe kjo e lehtëson shumë sidomos shkollat e njësisë 5 të cilët sot frekuentohen nga fëmijët e këtyre zonave dhe kemi dhe shkollën Kol Jakova në njësinë 11. Pra, bëhet një shpërndarje për të gjithë kompleksin arsimor”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama tha se shkolla e kopshte të reja do të ndërtohen kudo në Tiranë, ku për shkak të prurjeve të reja dhe ndërtimeve të reja ka nevojë për to.
“Kur kemi qenë me Ogertën përpara disa ditësh këtu, kjo ishte kërkesa, por aty ju thashë që do ta fillojmë së shpejti, ndërkohë që i siguroj që do shohim edhe për pika të tjera, jo vetëm këtu, por kudo në Tiranë ku për shkak të prurjeve të reja dhe ndërtimeve të reja ka nevojë për kopshte dhe çerdhe dhe duhet të ecim me atë që kemi folur, me një plan të ri për vendosjen e objekteve arsimore për Tiranën që të shoqërohet me shpronësime ose me partneritete ku marrin lejen e ndërtimit që të lëshojnë territor për shkollën ndërkohë që për çerdhet duhet ta vazhdojmë atë që keni përdorur ju për të marrë hapësira të brendshme në godina për çerdhe dhe besoj se për çerdhet mund të bëjmë një gjë shumë të bukur me atë variant”, u shpreh Kryeministri.
Projektet arsimore do të vijojnë më tej edhe me ndërtimin e dy shkollave të tjera, një 9-vjeçare dhe një e mesme, në Yzberisht dhe Kashar.
Top Channel