
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, shprehet e bindur se gjatë mandatit të saj do të ketë anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.
E kundërta për të do të ishte dështim, ndërsa mendon se anëtarët e rinj do të jenë Shqipëria dhe Mali i Zi. “Mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026, dhe me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, komisionerja e BE për Zgjerim vë në pikëpyetje rrugëtimin e Serbisë në union, teksa shprehet se “Më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së, atëherë do të duhet të japin rezultate”.
Në fokus të intervistës ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, si parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.
“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha komisionerja Kos.
E pyetur nëse Bashkimi Evropian do të heqë masat ndaj Kosovës, Marta Kos u shpreh se “Jemi duke e diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”.
Top Channel