Deputetët u mblodhën mëngjesin e sotëm me qëllim për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, pas shumë tentimesh të dështuara, por as sot nuk u arrit dakordësia!

Vazhdimi i shtatë i seancës konstituive nisi në orën 10:00.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryetarit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, dështoi gjashtë herë radhazi, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë më shumë se 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjidhur, në katër herët që u hodh në votim.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Sipas Kushtetutës së vendit, partia fituese gëzon të drejtën për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se moskonstituimi i Kuvendit e ka vënë në pah jo vetëm mungesën e konsensusit politik, por edhe mungesën e vullnetit për të respektuar përgjegjësitë institucionale që dalin nga vetë rezultati i zgjedhjeve.

Ai theksoi se ngërçi institucional po zgjatet “në mënyrë të rrezikshme, duke thelluar krizën politike dhe duke e vendosur vendin në një rrugë të pasigurisë kushtetuese”./REL

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta