
Aerodromi i Gjirokastrës ka pritur avionët e parë turistikë pas marrjes së statusit tre vite më parë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për rikthimin e fluturimeve civile në këtë zonë historike.
Ulja e avionëve të vegjël, të ardhur nga Italia, ka ngjallur interes të veçantë, ndërkohë që infrastruktura dhe kushtet teknike për fluturimet e këtij lloji janë ende në fazë testimi.
Ngjarja përfaqëson gjithashtu fluturimin e dytë direkt nga një vend i rajonit, duke përforcuar shpresat për një të ardhme më të mirë të turizmit ajror në jug të Shqipërisë. Pilotët dhe pasagjerët shprehën entuziazëm për përvojën e fluturimit dhe mikpritjen në Gjirokastër.
“Udhëtimi ishte shumë i bukur. Është hera e dytë që vij këtu dhe kishim një kohë të shkëlqyer për fluturim. Përshkuam luginat mbi Vlorë, Tepelenë dhe Gjirokastër, dhe zbritja ishte shumë komode,” u shpreh një nga pilotët, duke shtuar se zona ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit ajror.
Një tjetër vizitor tha: “Kjo është hera e dytë që kemi qenë këtu, hera e parë ishte në tetor dhe na u rezervua një pritje e mrekullueshme. Do të rikthehemi me miq, sepse na pëlqen shumë ky vend – qyteti, kështjella dhe ushqimi janë fantastikë.”
Një grup miqsh gjithashtu vizitorë italianë, që zbarkonin për herë të parë në Gjirokastër me një avion të vogël, thanë: “Shkoi shumë mirë. Me atë që pamë nga ajri, duket se ka shumë për të zbuluar. Do të qëndrojmë tre ditë dhe nisemi të martën pasdite.”
Aerodromi historik i Gjirokastrës daton që prej vitit 1924. Në vitet ’30-’40, ai funksionoi si një aeroport me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty u stacionuan rreth 30 avionë civilë dhe bombardues.
Gjatë asaj periudhe, linjat më të rëndësishme që e lidhën Gjirokastrën me pjesë të tjera të Shqipërisë dhe Italisë ishin: Tiranë–Vlorë–Gjirokastër, Tiranë–Korçë–Gjirokastër dhe Gjirokastër–Brindisi. Rikthimi i fluturimeve civile është parë si një hap i rëndësishëm drejt rigjallërimit të turizmit në jug të vendit, dhe përfshirjes së Gjirokastrës në rrjetin rajonal të turizmit ajror.
Top Channel