
Pas protestave masive në të gjitha qytetet e Serbisë studentët serbë ndërmarrin një tjetër hap të fortë për rrëzimin e qeverisë së Aleksandër Vuçiç.
Këtë të premte, një grup studentësh nisën një ultramaratonë politike drejt Brukselit.
Ata duan të përshkojnë pothuajse 2000 kilometra brenda 18 ditësh për të informuar përfaqësuesit e Parlamentit Europian rreth situatës politike në vend. Në Serbi po zhvillohen protesta masive kundër qeverisë së Presidentit Vuçiç, që nisën pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor 2024.
Sipas mediave serbe grupi përbëhet nga 21 studentë. Vrapuesit që do të përshkojnë gjashtë vende, ndër to edhe Austrinë dhe Gjermaninë, i shoqëron një automjet. Ata u nisën nga Novi Sad, aty ku ndodhi aksidenti vdekjeprurës, dhe njëri prej pjesëmarrësve tha se po vraponin për një “Serbi më të mirë dhe demokratike”.
Studentët, që muajt e fundit po organizojnë protestat më të mëdha në historinë e Serbisë, e akuzojnë qeverinë Vuçiç për korrupsion, mungesë të lirisë së mediave dhe drejtim autoritar.
Top Channel