Papati drejt Azisë? “Profecia” e Franceskut dhe lidhja me Kinën, çfarë pritet të ndodhë

25/04/2025 13:04

Papa Françesku e kishte thënë, ndoshta i befasuar edhe nga pjesëmarrja masive gjatë vizitës së tij në Filipine, ku shtatë milionë besimtarët e mbledhur për meshën në Manila shënuan një rekord absolut në historinë e udhëtimeve apostolike: “E ardhmja e Kishës është në Azi”, qe shprehur papa argjentinas. 

Kardinali Luis Antonio Tagle, i cili në 21 qershor mbush 68 vjeç, pati buzëqeshur plot kënaqësi atë ditë të janarit 2015.

Jo aq për shifrat e të pranishmeve: arkipelagu aziatik me 115 milionë banorë, 80% e të cilëve janë katolikë, ka qenë bastioni i besimtarëve në atë pjesë të botës për shekuj me radhë. Por sepse ai, djali i një nëne kineze, e dinte mirë se Papa po e shikonte me sytë e një jezuiti atë pellg shpirtrash, duke projektuar aty ardhmërinë e institucionit kyç fetar.

Kohët e Kishës nuk janë më ato të një papati të vetëm, Françesku ishte i vetëdijshëm për këtë deri në fund. Por ajo që Papa i ndjerë kishte ndërtuar gjatë dhjetë viteve të fundit, një marrëveshje sekrete për të rregulluar marrëdhëniet mes perandorive të fundit zgjedhore të historisë, Kinës e Vatikanit, i hap sipas mediave italiane rrugën papës së ardhshëm.

Në këtë kontekst, nuk konsiderohet rastësi që sot Kardinali Tagle konsiderohet një ndër favoritët e padiskutueshëm për fronin papnor.

“Unë Papë? Po kjo është një shaka”, do të shprehej ai vetë në prag të Konklavës që, në 2013, çoi në zgjedhjen e Bergoglio. Këtë radhë, nuk e tha më.

Ish studenti model nga një familje modeste- babai filipinas, nëna me origjinë kineze, besimtarë katolikë të devotshëm që luftuan t`i jepnin djalit të tyre një arsimim të shkëlqyer-Tagle shihet si një progressist, me një përgatitje teologjike solide por që është shprehur në më shumë se një rast për afrimin e të divorcuarve e madje edhe anëtarëve të komunitetit LGBT me argumentin “se asnjë shpirt nuk duhet braktisur”, e ndërkohë shihet me mjaft interes sakaq edhe lidhja e rëndësishme familjare e tij me Kinën.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta