
Kryedemokrati Sali Berisha, nga takimi me mbështetësit në njësinë numër katër në kryeqytet, premtoi paga mbi 1500 euro për punonjësit në shëndetësi dhe arsim.
Në 100 ditët e para, do të realizojmë atë ndryshim që nuk e ka menduar njeriu, nisi fjalën e tij Berisha.
“Do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo njeri me ndihmë ekonomike, për çdo të papunë, për çdo jetim që ka një prind, për çdo student me bursë. Ne garantojmë për këta qytetarë 6.3 euro në ditë, pak mbetet, por mjerim nuk është”.
Kryedemokrati akuzoi qeverinë se “po kryen krime kundër njerëzve”, pasi të sëmurët në spitale nuk marrin mjekimin e nevojshëm. Ai premtoi se nëse vjen në qeveri, Shqipëria do të adoptojë listën e ilaçeve të Italisë.
“Dy shërbime thelb për çdo komb, arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar në mënyrën më të papranueshme. Janë rrokulisur deri në shpartallim. Sistemi i shëndetësisë është jashtëzakonisht problematik, ku të sëmurët rëndë në spitale i merr sëmundja se nuk kanë ilaçe për mjekim. Një sistem ku një i sëmurë duhet të presë muaj të tërë për të bërë skanerin. Një sistem ku mjekimi është gjysmak ose ai që nuk duhet. Ju keni ndjekur dramën e tmerrshme që zhvillohet në spitalin onkologjik. Në asnjë vend nuk ndodh ajo. 3 muaj më parë, Rama deklaroi se atje po ndodhin krime kundër njerëzit. Po, është krim kur të sëmurin e mban dhe nuk i jep ilaçe që luftojnë sëmundjen. Por Rama nga ajo ditë deri më sot nuk mori asnjë masë të vetme, sepse ai është autori i atij krimi. Ne do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe garantoj çdo shqiptar se nuk do të shitet kurrë ilaç cilësie tjetër se në ato që shiten në të paktën dy vende të BE. Kurrë nuk do të mungojnë ilaçet jetike. Do të dyfishohet rrogat e mjekëve dhe infermierëve”.
Më tej, u ndal te arsimi, ku shpalosi programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
“Ju e morët vesh se si ramë në pikiatë në testin ndërkombëtar të cilësisë së arsimit. Ramë si asnjë vend tjetër në botë, ramë me 68 pikë. Një rënie e tmerrshme. Ramë, vendi i fundit në botë për mendimin kreativ të nxënësve tanë, sepse shkolla nuk është më ajo që duhet të jetë votë e edukimit të fuqishëm, të mësimit të dijeve. Shkolla është zhytur në kaos, në inkopetencë. Mësuesit të cilët janë dhe do jenë misionarë të dijes, janë të ç’orientuar nga patronazhistët. Janë të diskriminuar nga portali një mësues për partinë. Gjithçka do të ndryshojë. Ne zotohemi para jush që mësuesit ti vendosim në piedestal. Nuk do ketë rrogë minimale ndën 1500 euro për mësuesin. Sikundër mjeku dhe infermieri do kenë dyfishim të rrogave”.
Top Channel