
Dyqani online i Donald Trump po shet veshje me emblemat “Trump 2028”, viti i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA, në të cilat republikani është i ndaluar me kushtetutë të kandidojë.
78-vjeçari, i cili ka parë rënien e vlerësimit të tij në sondazhet e fundit të opinionit, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të shërbejë për një mandat të tretë – megjithëse shumica e konsiderojnë këtë shumë të pamundur.
Një llogari e mediave sociale e lidhur me Trump ndau të enjten një foto të djalit të tij Eric duke veshur një nga këmisha të reja të kuqe, që kushton 50 dollarë.
“Bëni një deklaratë me këtë kapelë Made in America Trump 2028”, thotë një përshkrim produkti në faqen e internetit të “Trump Store”.
Dyqani shet gjithashtu bluza në ngjyrë blu dhe të kuqe, me çmim 36 dollarë, ku shkruhet “Trump 2028 (Rishkruaj rregullat). Kjo vjen pasi Trump po sheh një rënie të popullaritetit teksa po i afrohet 100 ditëve të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Sondazhet e opinionit kanë treguar se amerikanët shprehin shqetësimin për trajtimin e çështjeve kryesore nga miliarderi, duke përfshirë koston e jetesës, si dhe politikat e tij kaotike tarifore.
Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA thotë se “Asnjë person nuk mund të zgjidhet në detyrën e Presidentit më shumë se dy herë”.
Trump, i cili gjithashtu shërbeu si president nga viti 2017 deri në 2021, ka këmbëngulur se ai “nuk po bën shaka” për një mandat të tretë, duke thënë muajin e kaluar se ka “metoda” që do ta lejonin atë të kandidonte.
Çdo përpjekje serioze për të ndryshuar dokumentin themelues do të dërgonte Shtetet e Bashkuara në një territor të paeksploruar. Ndryshimi i Kushtetutës së SHBA për të lejuar një mandat të tretë presidencial do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat. Një amendament do të kishte nevojë gjithashtu për ratifikimin nga të paktën 38 nga 50 shtetet e SHBA, një tjetër mundësi e vogël që të ndodhë.
Top Channel