
Kryeqyteti italian është vendosur nën masa të jashtëzakonshme sigurie për funeralin shtetëror që do të mbahet nesër në mëngjes në Sheshin e Shën Pjetrit.
Kryeqyteti italian është vendosur nën masa të jashtëzakonshme sigurie për funeralin shtetëror që do të mbahet nesër në mëngjes në Sheshin e Shën Pjetrit.
Ndërsa qindra liderë botërorë pritet të marrin pjesë, autoritetet italiane kanë vendosur një perimetër sigurie të paprecedentë që përfshin mbrojtje nga ajri, deti dhe toka.
Pjesë e planit janë avionë luftarakë Eurofighter, radarë të avancuar, bazuka anti-drone, si dhe një shkatërrues ushtarak në ujërat pranë Romës. Këto masa synojnë të garantojnë sigurinë e personaliteteve më të larta shtetërore ndërkombëtare që do të jenë të pranishëm.
Në qendër të vëmendjes është ardhja e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të mbërrijë në Romë në orët e vona të mbrëmjes.
Edhe pse vizita e tij do të jetë e shkurtër – me nisjen e planifikuar menjëherë pas përfundimit të funeralit – burime diplomatike nuk përjashtojnë mundësinë e takimeve dypalëshe në orët para ceremonisë.
Një nga takimet më të përfolura është ai i mundshëm me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Dy liderët nuk janë përballur drejtpërdrejt prej kohësh, ndërkohë që tensionet mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian janë rritur ndjeshëm për shkak të një lufte tarifore që ka prekur sektorë strategjikë si ai i automobilave, çelikut dhe teknologjisë.
Takimi i mundshëm vjen në një moment kritik për marrëdhëniet transatlantike, me Brukselin që kërkon të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të masave proteksioniste dhe Uashingtonin që insiston për rinegocimin e marrëveshjeve tregtare.
Ndërkohë, pritet që pjesëmarrja e liderëve në funeralin e nivelit më të lartë të shërbejë si një moment reflektimi, por edhe si një mundësi për dialog diplomatik në sfondin e një Europe në transformim dhe një bote gjithnjë e më të polarizuar.
Top Channel