Ambasada Gjermane në Tiranë është interesuar se si po zbatohen në terren strategjitë e bashkëpunimit për të hetuar krimet zgjedhore.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, të ftuar nga ambasadori gjerman, kanë treguar gjetjet e deritanishme në terren.

Burime nga ambasada gjermane në Tiranë i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se krahas ambasadorit gjerman, numri dy i ambasadës amerikane, ambasadori i Britanisë së Madhe dhe Francës i kanë drejtuar pyetje tre të ftuarve.

Të njëjtat burime tregojnë se në këtë takim ishte i pranishëm edhe kreu misionit të vëzhgimit të OSBE – Odihr, ambasadori Zanier dhe përfaqësues nga delegacioni i BE-s.

Ky takim i këtij formati, vjen pas atij të disa javëve më parë në ambasadën britanike.

Pas takimit, reagoi ambasada gjermane, që përmes një postimi shkruan se gjatë informimit u paraqit statusi aktual i veprimtarive në të gjithë territorin e Shqipërisë, një përmbledhje e ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më tani, si dhe statusi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë përkatës.

Bashkëpunimi i ngushtë midis institucioneve shqiptare të përfshira dhe efekti parandalues i qasjes së përbashkët ndaj shkeljeve zgjedhore u mirëprit nga pjesëmarrësit. Ambasadorët përshëndetën angazhimin e aktorëve shtetërorë dhe politikë shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj. Organizimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, gjithashtu në kuadër të aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian“, thekson ambasada gjermane.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta