“Paratë e taksapaguesve amerikanë po shpërdorohen”/ Reuters: SHBA-ja synon mbylljen e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit

24/04/2025 16:12

Departamenti për Efikasitet të Qeverisë (DOGE) në Shtetet e Bashkuara, që udhëhiqet nga Elon Musk, raportohet po i jep fund punës së Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), sipas incizimit të një takimit të stafit dhe të një emaili dërguar stafit, që i ka parë Reuters.

MCC-ja është krijuar për zvogëluar varfërinë dhe për të nxitur rritjen ekonomike në mbarë botën. Kosova është pjesë e shteteve me të cilat kjo agjenci bashkëpunon.

Lëvizja për mbylljen e MCC-së është pjesë e përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe këshilltarit të tij, Musk, për të tkurrur Qeverinë federale, duke argumentuar se paratë e taksapaguesve amerikanë po shpërdorohen.

Stafit të MCC-së i është thënë gjatë një mbledhjeje të mërkurën se të gjitha programet e agjencisë do të mbyllen dhe numri i stafit do të minimizohet, sipas incizimit të këtij takimi.

“Ndihma e huaj nuk është prioritet për administratën, prandaj puna e MCC-së duhet të përfundojë”, i tha stafit Kyeh Kim, zyrtare e lartë në MCC.

Zyrtarët nga DOGE kanë shkuar në agjenci javën e kaluar dhe kanë nisur bisedimet me udhëheqjen, të cilët po tentojnë ta shpëtojnë agjencinë, tha Kim.

MCC-ja nuk është përgjigjur në kërkesën e Reutersit për koment.

Politico e para raportoi për këtë lëvizje, duke cituar një email që i ishte dërguar stafit të agjencisë të martën, të cilën Reuters më pas e ka parë. Në email, afër 300 punëtorëve u jepet afat deri në 29 prill nëse duan të zgjedhin pensionin e hershëm vullnetar ose të japin dorëheqje dhe të marrin pagë deri në shtator – në të kundërtën do të përballen me pushim administrativ.

Administrata e Trumpit ka zhbërë agjencinë kryesore të ndihmës së Uashingtonit, USAID, e cila administronte rreth 40 miliardë dollarë ndihma në vit.

MCC-ja, që është krijuar nga Kongresi amerikan me mbështetjen e republikanëve dhe demokratëve më 2004, ka një buxhet vjetor prej rreth 900 milionë dollarësh. Agjencia bashkëpunon me shtetet në zhvillim në projekte sikurse përmirësimi i furnizimeve me energji elektrike për biznese dhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në mënyrë që fermerët të mund të dërgojnë mallrat e tyre në treg, thuhet në ueb-faqen e MCC-së.

MCC-ja ka bashkëpunuar me Kosovën që nga viti 2016.

Prillin e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja lansuan zbatimin e programin kompakt, që ka për synim ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër. Ky program kap vlerën prej 202 milionë dollarësh nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera si kontribut i Kosovës.

Marrëveshjet kompakt janë grante pesëvjeçare dhe MCC-ja u ka lëshuar programe të tilla shteteve që plotësojnë kriteret për kualifikim për programe të tilla.

Kosova e kishte arritur marrëveshjen me MCC-në për programin kompakt më 2022. Projekti kryesor i programit është ai i ruajtjes së energjisë. Përmes tij, Kosova është paraparë që të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

MCC-ja po ashtu ka pasur edhe programe të tjera për zhvillimin ekonomik në Kosovë në vlerë prej 50 milionë dollarësh.

Kjo agjenci e SHBA-së po ashtu ka ofruar bursa për shkollimin e grave në fushën e energjisë. /REL

Top Channel

Një i ri është vënë në pranga në Shkodër pasi iu kapën në banesë, armë zjarri, armë sportive, armë të ftohtë dhe shiste lëndë narkotike. Njoftimi: Posedonte në banesë, armë zjarri, armë sportive, armë të ftohtë dhe shiste lëndë narkotike, arrestohet 23-vjeçari. Ai u kap në flagrancë, gjatë natës, te ura e Mesit, me doza Kokaine dhe Cannabisi, gati për shitje. Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë pneumatike, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis, të ndara në doza. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ura”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi: -A. M., 23 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri. Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, te ura e Mesit, me doza Kokaine dhe Kanabisi, gati për shitje.
Top News- Fshihte armë zjarri në banesë/ Arrestohet 59-vjeçari në Shijak, i sekuestrohet dhe kokainë
Top News – Përplasje me policinë. 15-vjeçari aksidenton qëllimisht efektivët në Vlorë
Top Channel/ Nuk iu bind urdhrit të efektivëve, i mituri ‘kthen përmbys’ makinën e policisë
Top Channel/ Zbardhet nga dëbora qarku i Elbasanit, disa fshatra pa energji elektrike
Top Channel/ Nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, i mituri përplas makinën e policisë në Vlorë