Dy anëtarë të Trupave Detare të SHBA-së po përballen me hetime për përdhunime të dyshuara në Okinawa, Japoni, tha policia e arkipelagut të enjten, pasi sulmet seksuale të kryera nga ushtarakët amerikanë shpesh shkaktojnë zemërim në vend.

“Një marins amerikan, rreth 20 vjeç, dyshohet se ka përdhunuar një shtetase japoneze në një bazë ushtarake amerikane në mars dhe ka plagosur një grua tjetër,” tha një zëdhënës i policisë për AFP sot.

Ushtari i dytë amerikan, afërsisht në të njëjtën moshë me i pari, dyshohet se përdhunoi një grua në një bazë tjetër në janar, tha ai.

Të dy rastet iu referuan prokurorisë dhe ambasadori amerikan në Japoni, George Glass, i cili sapo kishte marrë detyrën, siguroi se vendi i tij do të bashkëpunonte “plotësisht” me autoritetet japoneze.

“Ne i kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve të besimit dhe miqësisë që kemi ndërtuar gjatë dekadave me mikpritësit tanë japonezë dhe jam i përkushtuar të bëj gjithçka që kam fuqi për të parandaluar që këto veprime të rrezikojnë lidhjet tona”, theksoi ai në një deklaratë.

SHBA mban rreth 54,000 personel ushtarak të dislokuar në Japoni, kryesisht në Okinawa, në pjesën jugore të arkipelagut. Megjithatë, sjellja e shumë prej tyre shpesh bëhet shkak i mosbesimit dhe zemërimit te një pjesë e popullatës.

Të premten në Okinawa, personeli ushtarak amerikan mori pjesë së bashku me banorët dhe përfaqësuesit lokalë në patrullimet e natës.

Operacioni, i pari i këtij lloji që nga viti 1973, u zhvillua pranë një baze ajrore amerikane pas një sërë sulmesh seksuale që i atribuohen personelit ushtarak amerikan.

Në vitin 2024, 80 anëtarë ose nënkontraktorë të ushtrisë amerikane u akuzuan për vepra të ndryshme penale në Okinawa, sipas shifrave të policisë në ishull.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta