I dërguari i BE në Kosovë! Sorensen takon Bislimin: Po punojmë në kuadër të dialogut, do shkoj edhe në Beograd

24/04/2025 19:22

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi , Peter Sorensen ka qëndruar të enjten në Kosovë. 

Ai u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, me të cilin tha se ishte një takim i zakonshëm.

“Jam në Prishtinë me stafin në kuadër të angazhimeve si emisar i dialogut, bashkë me stafin tim. Pas Prishtinës do të shkojë në Beograd. Është një vizitë normale, jam i lumtur që jam këtu. Do të vazhdoj në Beograd dhe pastaj në Bruksel. Jemi duke punuar, kaq”. 

Bislimi pas takimit me Peter Sorensen njoftoi se kanë diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik dhe rëndësinë e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut.

I dërguari evropian gjatë qëndrimit në Prishtinë ka takuar edhe komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani me të cilin diskutuan për situatën e sigurisë, me theks në angazhimin e KFOR-it “për të mbështetur të gjitha përpjekjet e Bashkësisë Ndërkombëtare, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”.

Komandanti nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm”, thuhet në njoftim.

I dërguari i Bashkimit Evropian, pas Prishtinës do të vizitojë edhe Beogradin.

Kjo është vizita e dytë e Peter Sorensen në Kosovë që prej marrjes së detyrës si ndërmjetës, vizita e fundit vjen në kohën kur Kosova nuk ka konstituar institucionet që prej zgjedhjeve të nëntë shkurtit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta