
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndërprerë vizitën e tij në Afrikën e Jugut pas një vale të re sulmesh ajrore ndaj Ukrainës gjatë natës, ku raportohen 9 viktima dhe mbi 80 të plagosur.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky tha se do të informojë presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, për situatën dhe nevojën për të intensifikuar përpjekjet diplomatike globale.
Takimi mes dy liderëve pritet të zhvillohet gjatë paradites së sotme, megjithatë pjesa tjetër e vizitës zyrtare në Afrikën e Jugut do të anulohet, pasi Zelensky synon të kthehet menjëherë në Ukrainë.
“Kemi 44 ditë që kemi pranuar një armëpushim të plotë, të propozuar nga SHBA, por Rusia vazhdon të vrasë njerëz dhe të shmangë presionin ndërkombëtar dhe përgjegjësinë për këto akte”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai theksoi se ndalimi i sulmeve është i domosdoshëm, i menjëhershëm dhe pa kushte, duke shtuar gjithashtu se pret ndihmë në çështje humanitare, përfshirë kthimin e të burgosurve dhe fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Zelensky njoftoi gjithashtu se do t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë mbështetje për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, për të parandaluar sulme të tjera të ngjashme.
Top Channel