
Janë shtyrë papritur bisedimet e nivelit të lartë për Ukrainën të planifikuara të mbaheshin në Londër.
Njoftimi erdhi vetëm pak orë përpara nisjes së takimi, mes lajmeve se disa diplomatë të lartë ishin tërhequr befas në çastet e fundit.
Burime nga qeveria britanike pohuan se “bisedimet e nivelit zyrtar nuk janë pezulluar krejtësisht, ato do të vazhdojnë, por do të jenë të mbyllura për mediat”.
Takimi u duk qartë se po përballej me sfida që kur vetë shefi i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, anuloi pjesëmarrjen, e shumë shpejt, të njëjtën gjë bëri edhe sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, siç raporton Sky News.
Vetë delegacioni ukrainas sakaq, i cili përfshinte dhe këshilltarin kryesor të presidentit Volodymyr Zelensky, ka udhëtuar ndërkohë drejt Londrës.
Javën e kaluar, Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas dhe evropianë u takuan në Paris për bisedime që prodhuan atë që shumë e panë si përparim të vogël drejt përfundimit të luftës.
Gjatë fundjavës, media amerikane si Wall Street Journal, Bloomberg dhe CNN raportuan se negociatorët amerikanë i kishin paraqitur Kievit një listë me lëshime të mundshme.
Mes tyre ishte edhe njohja e mundshme e aneksimit rus të Gadishullit të Krimesë më 2014, dhe një refuzim përfundimtar i aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që të dyja këto tema të konsideruara të papranueshme për Zelensky dhe qeverinë e tij.
Top Channel