
Armëpushimi i Pashkëve i shpallur nga Moska, por që nuk çoi në një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, “ishte një operacion marketingu” për “të shmangë humbjen e durimit të Presidentit (SHBA) Donald Trump”, tha sot Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, duke vënë në dukje gjithashtu se evropianët informuan SHBA-në për vijat e tyre të kuqe në lidhje me një marrëveshje paqeje Ukrainë-Rusi, në një takim që patën javën e kaluar.
“Armëpushimi i Pashkëve, të cilin (Vladimir Putin) e shpalli paksa papritur, ishte një operacion marketingu, një operacion sharmi që synonte të parandalonte Presidentin Trump të humbiste durimin dhe të acarohej”, tha Barrow.
“Megjithatë, ajo që po konstatojmë është se, pavarësisht shkeljeve të shumta, qindra mijëra të zbuluara nga ukrainasit, intensiteti i goditjeve me dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi është ulur”, shtoi ai.
Rusia rifilloi sulmet ajrore në Ukrainë dje, të hënën, pas skadimit të armëpushimit të brishtë 30-orësh të Pashkëve të shpallur nga Moska.
Donald Trump kishte kërcënuar të premten se do të tërhiqej nga negociatat e armëpushimit, të cilat Uashingtoni i ka zhvilluar prej javësh, por pa rezultat deri më tani, përpara se të deklaronte të dielën se shpresonte për një marrëveshje “brenda javës” midis Rusisë dhe Ukrainës, në një mesazh të shkurtër që postoi të dielën në faqen e rrjeteve sociale Truth Social.
“Për më shumë se një muaj, ukrainasit, bazuar në një propozim franko-britanik, kanë propozuar në mënyrë të njëanshme një armëpushim në det, në ajër dhe në infrastrukturën energjetike, një propozim që u mirëprit nga amerikanët, të cilët u kërkuan ukrainasve të lëvizin më tej drejt një armëpushimi të përgjithshëm 30-ditor,” vazhdoi Barrow.
“Tani i takon Vladimir Putinit të pranojë të njëjtin parim,” vuri në dukje ministri i jashtëm francez.
Të mërkurën, është planifikuar edhe një takim në Londër mes zyrtarëve të lartë amerikanë, ukrainas, britanikë dhe francezë, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, pas bisedimeve të paprecedentë në Paris të enjten në prani të Marco Rubio, si dhe Steve Witkoff, i dërguari special i Donald Trump.
Fuqitë evropiane i thanë SHBA javën e kaluar se cilat aspekte të një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë do të ishin të panegociueshme për ta, vuri në dukje gjithashtu ministri i Jashtëm francez.
“Objektivi i vetëm që na shqetëson është të mbrojmë interesat franceze dhe sigurinë evropiane. “Kjo është arsyeja pse, ndërsa SHBA vendos të vendoset në pozicionin e një ndërmjetësi, ne po i bëjmë ata të dëgjojnë se cilat janë “vijat tona të kuqe”,” theksoi Barrot, duke iu referuar çështjeve për të cilat liderët evropianë janë të palëkundur, pa elaboruar megjithatë më tej.
Top Channel