“Me 2 mijë euro nuk të arrestojmë”, ndalimi i shefit të qarkullimit Rrugor, SPAK njoftim zyrtar, sekuestrohen mijëra euro

21/04/2025 12:40

SPAK ka urdhëruar ndalimin e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore Roven Zeka dhe dy oficerëve, të përfshirë në korrupsion pasiv.

Në një njoftim zyrtar, SPAK ka sqaruar skenën korruptive ku ai dhe efektivët janë përfshirë, duke çuar në ndalimin e tyre.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 18 prill, me urdhër të prokurorit të posaçëm, janë ndaluar shtetasit: Roven Zeka shef i Komisariatit të Policisë Rrugore, Sokol Novaku, shef i hetimit të aksidenteve rrugore në këtë komisariat Edison Tabaku oficer i policisë gjyqësore, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim (parashikuar nga neni 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.)

Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)

Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.

Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit.

Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta