Protestat anti-Trump në SHBA! Mijëra persona i bashkohen tubimeve, në shënjestër edhe Elon Musk

20/04/2025 19:51

Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e qyteteve të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shtunën për të kundërshtuar vendimet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton BBC.

Të njohur si “50- 50 -1”, që nënkupton “50 protesta, 50 shtete, 1 lëvizje”, demonstratat u mbajtën në 250 vjetorin e fillimit të Luftës Revolucionare Amerikane.

Protestat u mbajtën në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, pranë përfaqësive të Teslas dhe në qendrat e shumë qyteteve, ku u parashtruan një sërë ankesash. Shumë prej tyre bënë thirrje për rikthimin e Kilmar Abrego Garcia, i cili ishte dëbuar gabimisht për në El Salvador.

Protestat politike po bëhen gjithmonë e më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, pasi demonstrata “Larg Duart” në fillim të prillit tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz në mbarë vendin.

Megjithatë, sondazhet e fundit të Institutit Gallup bëjnë me dije se 45 për qind e votuesve e aprovojnë performancën e Trumpit në çerekun e parë të mandatit, në krahasim me  41 për qind gjatë periudhës së njëjtë në administratën e tij të parë.

Top Channel