
Në një klimë përkushtimi, pas një jave hidhërimi për mundimet e Krishtit dhe kryqëzimin e tij ,miliona grekë të krishterë ortodoksë kanë festuar ringjalljen e birit të Perëndisë dhe Pashkën e Shenjtë , festën më të rëndësishme fetare të vitit.
Në prani të Kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë dhe Presidentit të Republikës, Konstantinos Tasoulas, në Katedralen e Athinës u kremtua në një atmosferë solemne Shërbesa e Ngjalljes dhe Liturgjia Hyjnore.
Shërbesat janë mbajtur në të gjithë vendin, dhe pas thirrjes “Krishti u ngjall” që është dëgjuar në të gjitha sheshet para kishave ,besimtarët kanë marrë më pas edhe flakën e shenjtë, proces që është shoqëruar me shpërthimin e mijërave fishekzjarrëve. Siç e kërkon edhe rituali i përvitshëm flaka e shenjtë ka mbërritur pasditen e së shtunës me avionin presidencial nga Jerusalemi dhe është pritur me nderet e një udhëheqësi shtetëror. Më pas është shpërndarë me fluturime speciale në çdo skaj të vendit. Si çdo vit në ishullin Hios është zhvilluar edhe sivjet në momentin e ringjalljes se Krishtit rituali karakteristik kur besimtarët e dy famullive kundërshtare qëllojnë me fishekzjarrë kambanën e një kishe dhe orën e kishës tjetër duke e kthyer natën në ditë.
Në këtë ishull zhvillohet edhe ceremonia e ashtuquajtur Ringjallja e Parë, që kremtohet në mëngjesin e së Shtunës me paralajmërimin e mrekullisë së madhe, kur gratë që mbanin mirrë, vizituan varrin për të vajosur trupin e Krishtit dhe nuk e gjetën atje.
Pamjet nga tempulli i mbushur plot kur prifti Christoforos Gourlis përcjell i gëzuar tek të gjithë besimtarët mesazhin e ringjalljes në mënyrën e tij duke shpërndarë dafina, simbol i fitores dhe jetës së përjetshme, kanë bërë përsëri xhiron e mediave greke.
Top Channel