
Në Shqipëri dhe në Kosovë breznitë kanë pasur gjithnjë një rol kthesash në historinë kulturore dhe në atë shoqërore.
Brezi 1968, gjatë rendit komunist, nuk ishte një zhvillim ishullor apo një ngjarje që u ndez e u shua kur deshi lidershipi politik, por pjesë e historisë europiane e botërore e cila u shoqërua me shpërthimin e lëvizjeve dhe rebelimeve anarkiste, majtiste, që vunë në provë për here të parë rendin botëror të vendosur pas fitores së antifashizmit. “Antikultura e 68-ës në Shqipëri” është tema e Exclusive që rikthehet sonte në mbrëmje në Top Channel ora 20:15.
“Sipas të dhënave që kishim ne, kishte hyrë në bisedime me Francën dhe Franca i kishte thënë, politika franceze të kuptohemi, që duhet të bësh këtë, këtë, këtë që ne të hyjmë. Dhe i kishte dhënë të gjithë platformën liberale. Dhe ky filloi, se donte paratë e atyre. Filloi por nuk e bëri dot, u tremb”, shprehet avokati Spartak Ngjela.
“Erdhi frymë krejt evropiane sepse janë të gjitha gjërat, të gjitha shkaqet që sollën ’68 evropiane, pak ose shumë ndodhën dhe në Shqipëri”, thotë studiuesi Albert Nikolla.
“Viti ’68, thashë kishte ndikimin e vet në jetën shoqërore jashtë, por pati ndikim dhe burg. Sepse edhe aty filluan që të dënuarit të mos trajtoheshin më ashtu si më parë. Llogarit që në atë kohë kishin kitara, këndonin këngë të huaja, lexonin libra të verdhë, që ishin futur si pasojë e këtij liberalizimi”, shprehet Agron Shehaj (ish i burgosur politik).
“Nuk duhet të harrojmë që në plenumin e pestë, Enver Hoxha ka thënë konkretisht që mbas agresionit ideologjik, vjen agresioni ushtarak, më pas ai ekonomik. Çfarë ndodhi?”, tha studiuesi Mariglen Kasmi.
Në mesin e viteve ’60, Tirana ishte kthyer në një qytet elitar të shoqërisë shqiptare. Të rinjtë që studionin jashtë kishin sjellë me vete shijen moderne të jetës dhe të së bukurës duke përshpejtuar emancipimin e shoqërisë në ishullin e vogël me emrin Shqipëri që rritej çdo ditë. Po pse kjo lëvizje e re e brezit të viteve ’68 mbeti një pranverë e shkurtër në dimrin e vetmisë së madhe ku u përfshi Shqipëria?
Top Channel