“Presidenti i Azerbajxhanit miratoi këtë projekt që të fitojnë shqiptarët”, Rama: Korçarët të jenë të parët që do të ndezin çelësin e ngrohjes me gaz

19/04/2025 13:40

Kryeministri Rama mori pjesë në prezantimin e projektit të gazifikimit të Korçës bashkë me delegacionin qeveritar të Azerbajxhanit.

Ai theksoi se ky investim strategjik ishte nën kujdesin e veçantë të një presidentit të Azerbajxhanit,  Aliyev, si edhe me garancinë e partnerit prestigjioz SOCAR.

“Është vërtet një moment shumë domethënës edhe për mua personalisht, përveç se të gjithë neve së bashku në Korçë, pasi për ata që e dinë se çfarë përfaqëson Azerbajxhani sot. Edhe për ata që mbase nuk e dinin deri më sot, por panë nga prezantimi se kush ka ardhur këtu në Korçë, është shenjë kuptimplotë e një miqësie të veçantë.

Kjo kompani ka shumë projekte dhe gjetja e kohës për të ardhur jo në Tiranë, por deri në Korçë, me CEO-n e kompanisë, që na bëri një prezantim shterues, është vërtet një gjest kuptimplotë i një miqësie dhe partneriteti strategjik, që ne duam të forcojmë më tutje lidhjet tona. Nga ana tjetër dua të jap një detaj jo të parëndësishëm për mua të paktën dhe jam i sigurt që ministri do dëshmojë për mua, ky emër kaq i bukur ‘NUR-Dritë’ është zgjedhur nga presidenti i Azerbajxhanit, ka qenë ai që e ka pagëzuar projektin me këtë emër dhe është ai që kujdeset për këtë projekt.

Unë kam qenë i pranishëm kur i ka thënë të tjerëve që nga projekti në Shqipëri nuk duan fitime, e rëndësishme është të mos humbasin dhe të fitojnë njerëzit e vendit tonë. Për ne, është një projekt shumë domethënës, ashtu sikundër për miqësinë e Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Nëse, ashtu siç u la të kuptohet, projekti që fillon me Korçën do të shtrihet më tutje me pjesëmarrjen e investitorëve të tjerë.

Për momentin jemi te fakti që me partnerë prestigjioz, ndër më të mirët që mund të zgjidhen në botë sot, ne jemi në nisje të zbatimit, sepse projekti ka nisur kohë më parë dhe falë mbështetjes nga presidenti, falë garancisë që është profesionalizmi dhe kapaciteti i SOKAT-it, brenda vitit 2026, kjo punë e bukur për Korçën kjo punë do përfundojë dhe në 2027 korçarët të jenë të parët që do të ndezin çelësin e ngrohjes me gaz”, tha ndër të tjera Rama.

Top Channel