Luftoi krah Ukrainës, Rusia dënon me 15 vite burg ushtarin australian/ Reagon kryeministri Albanese: Do përdorim ç’do rrugë të mundshme që…

19/04/2025 09:16

Qeveria australiane është zotuar se do të përdorë çdo gjë për të liruar Oscar Jenkins, një qytetar australian, i cili përballet me një dënim prej 15 vitesh burg në Rusi për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë.

Kryeministri Anthony Albanese deklaroi të shtunën se qeveria e tij do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj regjimit të Vladimir Putin për të kërkuar lirimin e Jenkins, një 33-vjeçar dhe ish-mësues, që iu bashkua forcave të armatosura ukrainase për të luftuar kundër pushtimit rus.

Pas raportimeve në janar se Jenkins kishte humbur jetën gjatë marrjes peng, autoritetet ruse më vonë konfirmuan se ai ishte gjallë dhe në paraburgim.

Të shtunën, disa media raportuan se zyra e prokurorisë ruse në Luhansk, ka ngritur një padi penale ndaj Jenkins, shkruan “The Guardian“.

Sipas raportimeve të ABC, aktakuza ruse pretendon se Jenkins “me iniciativë personale, për përfitim material, shkoi në Ukrainë për të marrë pjesë si mercenar në konfliktin e armatosur kundër Federatës Ruse”. Po sipas mediave lokale, ai mund të jetë paguar deri në 15,000 dollarë në muaj për pjesëmarrjen në luftë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Penny Wong, theksoi se Jenkins po mbahet si i burgosur lufte dhe si i tillë duhet të mbrohet nga ligji ndërkombëtar humanitar. Por autoritetet ruse e kanë cilësuar si mercenar, një status që nuk garanton të njëjtat mbrojtje ligjore.

Kryeministri Albanese u shpreh: “Qeveria australiane do të ngrihet dhe do të përdorë çdo rrugë të mundshme për të përfaqësuar interesat e Jenkins – jo vetëm në Rusi, por edhe përmes aleatëve tanë në Ukrainë, të cilët gjithashtu janë angazhuar për çështjen.”

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta