Berisha kërkon votën nga Kombinati, kreu i PD: Partitë e vogla kundër rotacionit, duan të zgrapin vota nga ne për Ramën

19/04/2025 21:01

Kreu i PD, Sali Berisha u ndal këtë të shtunë pasdite në një takim me mbështetësit e tij në Kombinat, ku prezantoi kandidatët e tij dhe programin me të cilin synon që të fitojë zgjedhjet e 11 majit.

Duke iu drejtuar mbështetësve të tij, Berisha foli edhe për krijimin e partive të vogla dhe futjen e tyre në garë për parlamentaret. Sipas tij partitë e reja kanë dalë hapur kundër rotacionit, duan të zgrapin vota nga ne për të ndihmuar Edi Ramën.

“Urdhëro, ka një opozitë të vërtetë që po përballet dhëmb për dhëmb dhe deri dje ishte në atë opozitë ti. Po kur të kapën për veshi, të nxorën jashtë, nxjerr teza të tilla. Unë nuk dua rotacionin. Unë jam opozitë e sistemit.

Kjo do të thotë opozitë e opozitës, shërbëtor i qeverisë. Ndaj dhe për ta mbyllur këtë, thirrja ime për ju është kjo: në këto kushte, të gjithë ne jemi misionarë.

Dhe u siguroj ju se si misionarë ne do tejkalojmë çdo censurë, çdo bllokim, çdo kërcënim dhe do realizojmë fitoren e shkëlqyer me datën 11 maj. Ky projekt është projekt për çdo shqiptar të ndershëm pavarësisht nga bindjet e tij politike.

Ky projekt është projekt që kërkon të nxjerrë Shqipërinë nga mjerimi.

Është projekt që kërkon t’i mundësojë suksesin çdo shqiptari që kërkon të jetojë me djersën e tij.

Është projekt që kërkon të mbajë fëmijët shqiptarë këtu për të ndërtuar në Shqipëri ëndrrën e tyre. Ndaj dhe ne të ndalemi në këtë kohë, ditë e natë me çdo qytetar, t’i paraqesim projektin, të diskutojmë.

Ka një klimë të jashtëzakonshme. Unë po vij sot nga Dibra, e kam parë atë klimë vetëm në vitin 1992. Kudo që shkoj gjej një entuziazëm, një optimizëm të pakrahasueshëm me të tjerët.

A e dini që nëpër Tiranë sillen si hije të zeza përfaqësuesit e PS? Nuk i pret kush. Tre vetë presion Erion Braçe, pesë vetë Fatzi Xhafën, Korbën kërkush.

Me një fjalë ecin të braktisur nga qytetarët. Tani unë jam këtu për t’u dëgjuar ju dhe për tu garantuar se kjo infrastrukturë që unë e gjej siç ka qenë shumë vite më parë, do transformohet në mënyrë rrënjësore.

Dhe që askush nuk do mund të vazhdojë të shfrytëzojë si Makbeth fatkeqësinë e tërmetit për t’u degdisur ju jashtë votrave tuaja, për t’u pasuruar në kurrizin tuaj.

Unë jam i vetëdijshëm për problemet që keni, por u garantoj se 11 Maji është përgjigja më e shkëlqyer që u japim atyre”, deklaroi kreu i PD.

Top Channel