Një rast mashtrimi me viza për në Kanada është denoncuar së fundmi nga qytetari Luan Ndou në emisionin investigativ Fiks Fare.

Ai akuzon agjencinë ‘Viza Travel Agency’ se i ka marrë para me premtimin për një vizë pune në Kanada, por nuk i është ofruar asnjë shërbim dhe nuk i janë kthyer paratë.

Sipas Luanit, në fillim ka paguar 1 mijë euro dhe i ishte premtuar se brenda 6 muajve do të merrte vizën. Kaluan muajt, por asnjë procedurë nuk u krye.

Në përpjekje për të kontaktuar me pronarin e agjencisë, z. Hamza Bytyçi, ai mori justifikime të ndryshme dhe asnjëherë zgjidhje apo ofrimin e shërbimit që ai kishte kërkuar.

Luan Ndou mëson se profili i agjencisë në Instagram është mbyllur, zyra është boshatisur dhe personi që e menaxhonte nuk gjendet më.

Ai zbulon gjithashtu se janë edhe persona të tjerë që kanë paguar shuma të mëdha deri në 1,500 euro dhe ndodhen në të njëjtën situatë.

Një punonjëse e zyrës ku ndodhej më parë agjencia, ka pranuar se prej ditësh ai person nuk është paraqitur dhe se janë të shumtë qytetarët që e kanë kërkuar, përfshirë edhe një grua me fëmijë.

Ajo konfirmon se nuk është rasti i vetëm i mashtrimit, por kjo gjë është bërë e përsëritur dhe shqetësuese për shumë qytetarë që kanë kërkuar shërbimin nga ajo agjenci.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan dhe pranë zyrave të agjencisë, ata hynë në zyrat ku më parë operonte ‘Viza Travel Agency’.

Aty kanë gjetur vetëm një stilolaps me logon ‘punësohu.eu’ dhe një xhaketë të lënë mbi tavolinë. Pas një dere të mbyllur, zbulojnë një poster të palosur ku lexonte ‘Viza Travel Agency’.

Por, pronari i kësaj agjencie akoma është një mister, pasi nuk ka reaguar për rastin, apo të ketë kontaktuar qytetarët.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel