
By Beth Bailey Fox News
Një ish-ambasador shqiptar në SHBA thotë se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të jenë më shumë si një përballje mes politikave të Presidentit Trump dhe George e Alex Soros, ndërsa partitë opozitare akuzojnë socialistët në pushtet për korrupsion.
“Shqipëria është tani në mënyrë efektive një sistem me një parti të vetme që bën sikur mban zgjedhje,” tha për “Fox News Digital” Agim Nesho, ish-ambasador shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në Kombet e Bashkuara. Nesho tha se zgjedhjet e majit “janë një përplasje mes ‘trumpistëve’ dhe ‘sorosistëve’, ku këta të fundit po luftojnë për të mbajtur kontrollin mbi korrupsionin dhe shtetin në Shqipëri.”
Mes akuzave për korrupsion dhe arrestimeve të fundit të kandidatëve kryesorë politikë shqiptarë, disa kritikë po shprehin shqetësim për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin 140-anëtarësh të vendit, të planifikuara për më 11 maj.
Nesho pretendoi se socialistët në pushtet “të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, janë antidemokratikë dhe të rrënjosur thellë… për më shumë se 12 vjet janë mbështetur nga donatorë të pasur të majtë si Alex Soros, mik i ngushtë i Ramës, dhe nga projekte si USAID dhe reforma në drejtësi e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, të cilat Rama i ka kapur dhe i ka përdorur për të goditur opozitën qendrore të djathtë, konservatore.”
Ai pretendoi gjithashtu se kryeministri “drejton një narco-shtet të fuqishëm që përhap frikë dhe ushtron kontroll mbi zgjedhjet.”
Ish-menaxheri i fushatës së Presidentit Trump, Chris LaCivita, iu bashkua në shkurt fushatës së Sali Berishës, udhëheqësit të Partisë Demokratike të djathtë në Shqipëri, sipas “Politico”.
LaCivita tha se Berisha do të ishte “një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe… do të punonte me sukses me Presidentin Trump dhe SHBA-në.” Ai e quajti Ramën një “kukull të George Soros.”
Berisha, dikur president dhe kryeministër i Shqipërisë, i tha “Fox News Digital” se qeveria e Ramës “ndaloi emrin tim dhe emrin e partisë në listën e votimit” gjatë zgjedhjeve të majit 2023. “Kur nuk ia dolën me këto masa,” tha ai, “shkuan edhe më tej.”
Parlamenti i hoqi Berishës imunitetin ligjor në dhjetor 2023 dhe e vendosi në arrest shtëpie nën akuzën se kishte ndihmuar dhëndrin e tij për të përfituar tokë private. Berisha thotë se “dokumentet zyrtare vërtetojnë” se toka i përkiste gjyshit të dhëndrit të tij, dhe ishte konfiskuar nga regjimi komunist.
Në nëntor të vitit të kaluar, Berisha u lirua nga arresti shtëpiak. Ai u akuzua zyrtarisht për korrupsion në shtator, raportoi Associated Press.
Zëdhënësi i Berishës, Alfred Lela, i tha “Fox News Digital” se Berisha tani është në pritje të gjyqit.
Përveç Berishës, edhe kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u arrestua për akuza për korrupsion në tetor 2024, në atë që një burim i tha “Fox News Digital” se ishte “instrumentalizim i drejtësisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit.” Dikur aleat i Ramës, Meta ka theksuar shpesh korrupsionin në rritje dhe autoritarizmin e qeverisë Rama.
Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të George Soros (OSF) kanë investuar më shumë se 131 milionë dollarë në Shqipëri midis viteve 1992 dhe 2020, duke “mbështetur efektivisht ngjitjen në pushtet të zotit Rama”, sipas një raporti të Qendrës Evropiane për Ligj & Drejtësi në vitin 2023. Qendra pretendon se OSF ndihmoi në shpërndarjen e një pjese të 60 milionë dollarëve që USAID shpenzoi për reformën në drejtësi në Shqipëri mes viteve 2000 dhe 2015, duke sqaruar se opozita e Ramës “e ka denoncuar këtë reformë si një përpjekje për t’i dhënë qeverisë kontroll mbi gjyqësorin.”
Zyrat e OSF në Shqipëri dhe SHBA nuk iu përgjigjën pyetjeve të shumta nga “Fox News Digital” për akuzat e bëra ndaj saj nga kundërshtarët.
Sipas një faqeje zyrtare të OSF, grupi “ka ndarë 600,000 dollarë për të mbështetur procesin e reformës në sistemin gjyqësor të Shqipërisë” në vitin 2015, si pjesë e përgatitjeve të vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. OSF pretendon se “paratë u përdorën për të financuar një panel ekspertësh me 20 persona, për zhvillimin e kontakteve me publikun dhe sondazheve të opinionit, krijimin e një faqeje të dedikuar në internet dhe organizimin e konferencave.”
Sipas “NewsNation”, Alex Soros shpesh udhëton në Tiranë dhe e quan atë “shtëpinë e tij të dytë.” Në korrik 2021, Soros publikoi një selfie me Ramën në Instagram, duke e identifikuar kryeministrin si “mik i mirë.”
Berisha thotë se tetë vjet më parë i kërkoi Kongresit Amerikan dhe Parlamentit Evropian “të ndalojnë aktivitetin politik të [George] Sorosit në Evropë sepse ai është një armik i demokracisë.”
Në një fjalim në dhjetor, Berisha tha se do ta ndalonte OSF-në në Shqipëri, duke e quajtur grupin “një kërcënim të vërtetë kombëtar”. Ai akuzoi qeverinë e Ramës për keqmenaxhimin e burimeve dhe dështimin për të ulur varfërinë, duke shtuar se kjo ka detyruar 45% të shqiptarëve të emigrojnë.
Një tjetër pengesë për kandidaturën e Berishës janë sanksionet që ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken shpalli kundër tij, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij në maj 2021. Blinken tha se Berisha kishte qenë “i përfshirë në akte korruptive, si përvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në procese publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve të tij politikë dhe anëtarëve të familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet e qeverisë dhe zyrtarët publikë.”
Berisha pretendoi se sanksionet ndaj tij ishin “tërësisht të bazuara në lobim të korruptuar” nga George Soros dhe Rama. Ai gjithashtu tha se anëtarë të administratës Biden “e kthyen Ambasadën Amerikane në Tiranë në një zyrë të madhe prokurorie”, duke i nxitur mbështetësit, gazetarët dhe biznesmenët të mos e mbështesin më Berishën dhe partinë e tij, dhe se Departamenti i Shtetit “i kërkoi edhe vendeve të tjera të më sanksionojnë dhe të më izolojnë.”
Berisha tha se sanksionet i kanë penguar fushatën. “Sigurisht që më dëmtojnë, sepse nuk mund të takohem me shqiptarët e Amerikës, të cilët janë të shumtë, dhe në këto zgjedhje, për herë të parë, ata kanë të drejtë të votojnë për partinë dhe kandidatin që preferojnë në vendin e tyre të origjinës.”
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se nuk kishin komente për pretendimet e Berishës se entitete amerikane kishin kthyer mbështetësit kundër tij. Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve nga “Fox News Digital” nëse sanksionet ndaj Berishës duhet të mbeten në fuqi, apo nëse ato pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Një zëdhënës i ish-Presidentit Joe Biden nuk iu përgjigj pyetjeve nëse administrata e tij kishte rol në kthimin e mbështetësve kundër Berishës.
Nesho vuri në dukje se sanksionet “mungojnë… prova dhe janë refuzuar nga opinioni publik shqiptar. Duket si një lëvizje politike, e drejtuar nga aleatët me shumë para të Ramës, si Alex Soros, të cilët përfitojnë si financiarisht ashtu edhe në ndikim nga qëndrimi i Ramës në pushtet.” Nesho i bëri thirrje administratës Trump të “heqë këtë ndalim menjëherë. Ai po nxit ndjenja anti-amerikane dhe bie ndesh me vlerat e demokracisë dhe drejtësisë,” shtoi ai.
Nesho pretendoi se “tre zgjedhjet e fundit kanë qenë të padrejta, plot me frikësime dhe vjedhje. Zgjedhjet e ardhshme më 11 maj 2025 nuk duhet të jenë thjesht një shfaqje false – ato duhet të jenë vërtet të lira dhe të ndershme. SHBA dhe BE duhet të kërkojnë këtë ose të kërkojnë shtyrjen e votimit derisa të plotësohen standardet e duhura.”
“Fox News Digital” gjithashtu kontaktoi disa herë Kryeministrin shqiptar Edi Rama, OSF-në, një anëtar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Ambasadën Shqiptare në Uashington D.C., për koment mbi akuzat për korrupsion dhe ndërhyrje të OSF-së në zgjedhje, por nuk mori asnjë përgjigje.
Top Channel