
Dikur ishin vetëm zhurma, britma, vaj dhe shpresë.
Sot janë vetëm kujtime… të fiksuara në një video të vjetër dhe disa fotografi të zverdhura. Ajet Cenaj i ruan si thesaret më të çmuara të jetës së tij.
Në pranverën e vitit 1999, Ajeti strehoi në shtëpinë e tij njëkatëshe plot 76 kosovarë të dëbuar nga lufta. Për t’iu bërë vend, largoi fëmijët e tij. Shtëpia ishte e vogël, por zemra e tij ishte më e madhe se çdo kufi.
“S’kisha si ti lija,ku t’i çoja… i mora në shpi, fëmijët i çova te dajët e tyre. Ushqimet i kisha për një javë, pastaj erdhën ndihmat”, tha Ajet Cenaj.
Si Ajeti, ishin mijëra kuksianë që hapën dyert, zemrën dhe sofrën për mbi 450 mijë refugjatë nga Kosova. Kukësi u bë simbol i mikpritjes, një qytet që ndau gjithçka për të shpëtuar njerëz.
“Nuk kërkoj asgjë… veç një certifikatë mirënjohjeje, që fëmijët e mi ta kenë, nipat ta shohin… të dinë se çfarë kanë bërë të parët tanë, ti kemi si dokumente për mos me harru”, tha ai.
Janë histori që nuk duhet të harrohen. Sepse mikpritja është më shumë se një traditë… është një akt që shkruan histori. Dhe Kukësi, në vitin 1999, shkroi një faqe që i përket gjithë njerëzimit, duke u shpallur simbol i mikpritjes dhe solidaritetit njerëzor, e më vonë u propozua edhe për çmimin Nobel për Paqe, për rolin e tij gjatë kësaj periudhe.
Top Channel