Deri më tani kemi trajtuar vetëm zjarret që kanë ndodhur në bizneset private, por në vitet e fundit ka pasur problematika edhe me institucionet shtetërore.

Një ndër rastet më të rënda ishte zjarri në urgjencën e QSUT-së në Tiranë, i cili shkaktoi panik dhe frikë te pacientët. Në dosjen e siguruar nga Inside Story janë bërë të ditura arsyet dhe shkaqet që çuan në këtë rast. Ekspertiza zbulon neglizhencën që solli këto pasoja.

Ekspertët e MZSH-së kanë arritur në përfundimin se vatra e zjarrit ndodhej në pjesën e baterive, në këndin verilindor të katit -2. Shkaku i rënies së zjarrit ishte një qark i shkurtër elektrik te bateritë. UPS-i dhe raftet e baterive ishin vendosur poshtë kanalinave të hapura të rrjetit kabllor të shpërndarjes së energjisë elektrike. UPS-i dhe raftet e baterive vlerësohen me rrezik të madh për të shërbyer si burim eksplozioni apo zjarri, ndaj ambienti përreth tyre duhet të jetë i pastër dhe me qarkullim ajri.

Dy specialistët e inxhinierisë klinike në këtë institucion janë nën akuzë për shkak të neglizhencës së tyre.

Inxhinierja elektrike, Dëshira Mena, e cila ka punuar për sistemin e mbrojtjes nga zjarri në këtë institucion, jep versionin e saj për ngjarjen: “Zjarri në QSUT është shembulli tipik i një investimi shumë të mirë, sipas standardeve europiane dhe të spitaleve. Zjarri ka ndodhur për shkak të moskujdesit dhe mungesës së mirëmbajtjes. Nëse dikush nuk e ndjek dhe nuk e bën punën e tij, sistemi bëhet inekzistent. Është e kotë t’i kesh bërë të gjitha ato instalime, nëse në momentin që bie alarmi, punëtori i sigurisë nuk është aty është kot”, u shpreh Dëshira Mena, inxhiniere elektrike.

“Nëse e kanë sistemin e zjarrit, duhet ta testojnë. Nuk mjafton që e ke vendosur sot, apo para pesë vitesh, dhe mendon se je në rregull. Duhet bërë kontroll periodik. Kjo tani lidhet edhe me ndërgjegjen e qytetarëve, sepse patjetër që institucionet kanë përgjegjësinë e tyre në moszbatimin e ligjeve dhe mungesën e kontrollit, por kanë faj edhe qytetarët, sepse nuk i kushtojnë rëndësi. Duhet të ndërgjegjësohen se kjo ka të bëjë me jetën e tyre, por edhe me biznesin e tyre, sepse kanë investuar”, u shpreh Azmer Duleviç, inxhinier elektrik.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta