Inside Story / Gafat që shkaktojnë zjarre masive, ja pse incidentet ndodhin gjatë orëve të natës

16/04/2025 21:30

Një tjetër ekspertizë inxhinierike e siguruar nga Inside Story për një zjarr të rënë në një market sjell një rast pak më specifik.

Bëhet fjalë për një market ushqimor që ka marrë flakë si pasojë e neglizhencës dhe mungesës së vëmendjes në kontrollimin e rrjetit elektrik.

Në skicën e prezantuar është paraqitur planimetria dhe vendi ku mendohet se ka nisur shkëndija elektrike, e cila ka çuar në një dëm shumë të madh financiar për marketin, duke shkatërruar gjithçka. Fatmirësisht, dëmet kanë qenë vetëm materiale dhe jo në njerëz, pasi zjarri ka rënë në orën 2 të mëngjesit.

Zjarri që kishte shpërthyer kishte djegur dy frigoriferët pranë kolonës ku ishin të sistemuar raftet me fruta të thata. Tymi i krijuar nga djegia e PVC-së mbante në vetvete shumë nxehtësi, me temperatura që varionin nga 600 gradë deri mbi 1300 gradë Celsius. Duke u ngritur lart, tymi ka hyrë në hapësirën e tavanit të varur, duke shkatërruar katër fancoil-a të sistemit HVAC, si dhe shumë kamera sigurie, ndriçues, e mallra ushqimore.

“Zjarri, kur përhapet, ka tre mënyra: përmes konveksionit, përçueshmërisë dhe rrezatimit. Përhapja e tij nuk ndodh thjesht për shkak të flakës. Janë tre fenomene që ndikojnë dhe këto duhet t’i marrë parasysh çdo projektues zjarri”, u shpreh inxhinieri elektrik Llazar Shandro.

Në fakt, shkaktimi i zjarrit në këtë supermarket erdhi nga një prizë portabël e vendosur poshtë frigoriferëve. Gjatë natës, ajo ishte mbinxehur më shumë sesa duhej dhe si pasojë kishte shpërthyer në flakë, duke përhapur zjarrin me shpejtësi në të gjithë hapësirën e marketit.

Nga shqyrtimi me kujdes i hapësirës pranë dy frigoriferëve ishullorë, u konstatua dhe u identifikua burimi i zjarrit. Ky burim ishte pikërisht priza portabël nën frigorifer, si rezultat i mbinxehjes së shkaktuar nga kontaktet e këqija të kunjave të spinës me foletë e prizës.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta