U “digjet” rruga 20 shqiptarëve me jaht luksoz Francë-Angli, arrestohen tre organizatorët e trafikut

15/04/2025 13:08

Tre kontrabandistë të dyshuar shqiptarë janë arrestuar pas zbulimit të migrantëve të fshehur në një jaht luksoz, i cili po udhëtonte nga Brest, Francë, drejt Bregut Jugor të Britanisë.

Jahti, i kapur në Kanalin Anglez gjatë udhëtimit të tij për në Newquay të dielën, kishte 20 pasagjerë të fshehur poshtë kuvertës, të gjithë të dyshuar si shtetas shqiptarë.

Pasi oficerët e Forcave Kufitare kryen kontrollin në jaht, ata arrestuan 19 burra dhe një grua, të cilët ndodhen në pritje të largimit nga Britania e Madhe.

Shtetasja shqiptare, Bleda Bega, 44 vjeçe, u akuzua për lehtësimin e hyrjes së paligjshme në vend dhe iu caktua masa e paraburgimit për t’u paraqitur në Gjykatën e Bodmin.

Dy persona të tjerë, gjithashtu shqiptarë, janë arrestuar për të njëjtën vepër, ndërkohë që njëri u lirua nga hetimi penal, por u arrestua për qëndrim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Një hetim është ende në vazhdim lidhur me këtë ngjarje.

Përveç kësaj, të dhënat e fundit nga qeveria tregojnë se gjatë javës së kaluar nuk janë regjistruar kalime me varka të vogla më 13 prill, përfshirë ato të zbuluara në jaht.

Megjithatë, një numër rekord i migrantëve ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla këtë vit, me më shumë se 8,000 njerëz që kanë arritur në katër muajt e parë të 2025, një rritje prej 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një zëdhënës i Home Office theksoi: “Grupet e kontrabandës me njerëz nuk kanë asnjë shqetësim për sigurinë e individëve të pambrojtur që shfrytëzojnë, përderisa ata paguajnë, dhe ne nuk do të ndalemi për të çmontuar këto grupe dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.”

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta