Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i kërkohet mendim presidentes Osmani për situatën e pazakontë! Çfarë pritet të ndodhë?

15/04/2025 18:58

Këtë të martë, dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Për herë të parë që nga Pavarësia, nuk u votua raporti i Komisionit të Përkohshëm për verifikim të mandateve të deputetëve të legjislaturës së re.

Kjo çoi edhe në ndërprerjen e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës për shkak të paqartësive të krijuara.

“Meqë raporti i komisionit në seancë nuk mori votat e mjaftueshme, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën”, u shpreh Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive.

Artan Abrashi i Lëvizjes Vetëvendosje pati akuza për partitë që votuan kundër këtij raporti.

“Ishim dëshmitar të një situate të paprecedentë, ndonëse për nga funksioni, krejt natyrë formale e ndoshta edhe ceremoniale, ky komision si rezultat i qëndrimeve absurde të opozitës ka shkaktuar një situatë të mjegullt e që mund të karakterizohet si krizë”, tha Artan Abrashi, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkaq anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës thanë se votuan kundër për shkak se e kanë pranuar me vonesë dorëheqjen e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit.

“Nuk është dorëheqje për konsideratën time. Si njoftim për dorëheqje por nuk ka qenë dorëheqje. Kjo ka qenë e pamjaftueshme, kështu që kemi votuar kundër në komisionin për verifikim të mandateve’, u shpreh Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Kemi kërkuar dokumentacion shtesë dhe është na paraqitur tek në komision, një letër e dërguar sot nga kryeministri i republikës së Kosovës, letër e cila do të duhet t’u shpërndahej gjithë qytetarëve të Republikës”, theksoi Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Albin Kurti të martën në një letër drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe formalisht dorëheqjen, porse konsideron se tashmë atë e ka bërë që më 27 mars kur u certifikuan rezultatet.

Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar“, thuhet në letër dorëheqjen e Kurtit.

Por, për të kaluar këtë ngërç, Albin Kurti dhe kabineti i tij i ministrave duhet të deponojnë dorëheqjet e tyre në Kuvend në mënyrë individuale, bazuar në Ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën e Kosovës.

Seanca e ndërprerë më 15 prill, mund të vazhdojë për të konstituuar Kuvendin. Bazuar në rregulloren e këtij institucioni, ndërprerja e seancës nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta