
Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, e me këtë arsyetim shefja e diplomacisë e BE-se, Kaja Kallas, insistoi që procesi i zgjerimit të bllokut, të vazhdojë.
“Ne shohim se po rriten tensionet. Për këtë arsye, duhet me çdo kusht të avancojmë me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme. Në këtë pikë, vërtet që na nevojiten histori suksesi”, shprehet shefja e diplomacisë së BE.
Kryediplomatja europiane nuk i përmendi në emër shtetet më të rrezikuara, megjithatë së fundi më problematike situata po shfaqet në Bosnje e Hercegovinë, pasi autoritetet në entitetin serb të saj kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të Republikës Sërpska.
Duke nënkuptuar qartazi mundësinë e ndërhyrjes, NATO ka deklaruar se nuk do të lejojë të rrezikohet paqja në Bosnje, e Shtetet e Bashkuara kanë pohuar gjithashtu se po shqyrtojnë disa mundësi veprimi duke i mëshuar idesë se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”. Nga ana tjetër edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta që në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.
Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon cdo përfshirje.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit të saj drejt BE-së.
Top Channel