Meta “teston” europianët! Kompania që ka Instagram dhe Facebook, nis trajnimin e “AI” me përmbajtje publike

14/04/2025 17:04

Meta, kompania që zotëron Facebook, Instagram, Threads dhe WhatsApp, ka njoftuar se ka filluar të trajnojë modelet e saj të inteligjencës artificiale duke përdorur përmbajtje publike nga përdoruesit e saj në Bashkimin Evropian.

Kjo nismë vjen në vazhdën e lançimit të “Meta AI” në Evropë dhe synon të përmirësojë ndërveprimin e asistentit dixhital me kulturat, gjuhët dhe traditat e ndryshme të kontinentit.

Sipas njoftimit të kompanisë, trajnimi do të përfshijë postimet dhe komentet publike të përdoruesve të rritur, ndërsa përmbajtja private – si mesazhet – dhe çdo përmbajtje nga përdorues nën moshën 18 vjeç do të përjashtohet nga procesi.

Megjithatë, sipas kompanisë, të gjithë përdoruesit kanë të drejtën për ta refuzuar pjesëmarrjen.

Duke filluar nga kjo javë, përdoruesit me banim në vendet e BE-së do të njoftohen nëpërmjet aplikacioneve dhe email-it për përdorimin e mundshëm të të dhënave të tyre. Këto njoftime do të përfshijnë edhe një formular të posaçëm, ku secili përdorues ka mundësi të kundërshtojë përfshirjen e përmbajtjes së tij publike në trajnimin e AI.

Kjo lëvizje vjen pasi vitin e kaluar Meta kishte pezulluar përdorimin e përmbajtjes nga BE për trajnimin e modeleve të saj, në pritje të qartësimeve rregullatore. Pas një opinioni pozitiv nga Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave në dhjetor dhe dialogut me Komisionin Irlandez të Mbrojtjes së të Dhënave, Meta është e gatshme të vazhdojë me këtë strategji.

Meta thekson se kjo metodologji trajnimi nuk është ekskluzive për Evropën, por një praktikë që tashmë është përdorur në rajone të tjera të botës. Gjigantët e tjerë të teknologjisë, si Google dhe OpenAI, kanë ndjekur një qasje të ngjashme, duke përdorur të dhënat publike për të përmirësuar modelet e tyre të AI.

Me këtë hap, Meta përpiqet të ruajë konkurrencën në fushën në zhvillim të AI gjeneruese, ku cilësia dhe diversiteti i të dhënave të përdorura për trajnim janë thelbësore për ndërtimin e modeleve të avancuara dhe të përgjegjshme.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta