
Një person ende i pa njohur u ekzekutua gjatë orëve të mbrëmjes të se shtunës në rrugën Karolou në lagjen Metaksurgjio të Athinës.
Burime policore thanë se burri që njihet si përdorues droge në zonë, mund të jetë qëlluar me thikë. Ai u dërgua në spitalin Gjenimatas të Athinës por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.
Gazetari i Top Channel Artur Bibe siguroi pamjet ekskluzive në të cilat dallohet viktima që po ecën në rrugë i plagosur. Ai nuk mundet të qëndrojë në këmbë dhe ulet në tokë. Pak sekonda më vonë ai vë re hemorragjinë në zonën e këmbëve dhe kërkon ndihmë nga kalimtarët të cilët fillimisht nuk e ndihmojnë.
Pak më vonë një kalimtar i jep një letër dhe njofton policinë. Por është vonë për viktimën i cili dallohet në pamje se humb ndjenjat dhe pak minuta më vonë vdes.
Policia fillimisht tha se mund të jetë vetëvrasje por pamjet tregojnë se viktima ka marrë plagë me thikë dhe me gjasa nga ndonjë sulm prej përdoruesve të tjerë të drogës që qarkullojnë në zonën Metaksurgjio.
Top Channel