
Policia e Tiranës ka nisur ‘aksion’ për matjen e nivelit të zhurmave me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e qetësisë publike.
“Plani i masave është ndërmarrë nga Policia e Tiranës si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për tejkalimin e normave të lejuara të zhurmës, veçanërisht në zonat e banuara dhe gjatë orëve të natës.
Matjet po kryhen me pajisje të certifikuara, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike për kontrollin e ndotjes akustike.
Masat administrative për subjektet e konstatuara në shkelje variojnë nga 2 milion lekë deri në 4 milion lekë, dhe në rast përsëritje deri në pezullimin e aktivitetit”-njofton policia.
Si rezultat i verifikimeve të deritanishme, është konstatuar një subjekt që operonte në kundërshtim me normat e përcaktuara ligjore për nivelin e zhurmës. Ndaj këtij subjekti është vendosur një masë administrative me gjobë, në vlerë 3 milion lekë, sipas legjislacionit në fuqi.
Top Channel