Një sulm izraelit ka shkatërruar departamentet e kujdesit intensiv dhe kirurgjisë të objektit kryesor mjekësor në qytetin e Gazës, ka deklaruar Hamasi.

Videoja e postuar në internet dukej se tregonte flakë të mëdha dhe tym që ngrihej nga Spitali Baptist Al-Ahli pasi raketat goditën një ndërtesë dykatëshe. Njerëzit, përfshirë disa pacientë ende në shtretër spitali, u filmuan duke u larguar me shpejtësi nga vendi.

Hamasi e quajti sulmin një “krim të tmerrshëm” nga Izraeli, i cili tha se po shqyrtonte raportet. Sipas shërbimit të urgjencës civile nuk raportohet për viktima.

Pamjet në mediat sociale treguan stafin dhe pacientët duke u larguar nga ndërtesa ndërsa jashtë ishte ende errësirë. Dhjetra palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u panë gjithashtu duke ikur nga një oborr brenda spitalit ku ata kishin kërkuar strehim.

Al-Ahli – një strukturë e vogël mjekësore para luftës – është tani i vetmi spital që ende funksionon në qytetin e Gazës pas shkatërrimit të kompleksit mjekësor Al-Shifa dhe spitaleve në pjesën veriore të Rripit.

Në deklaratën e saj, zyra e mediave qeveritare e drejtuar nga Hamasi dënoi sulmin.

Izraeli “po kryen një krim të tmerrshëm duke synuar Spitalin Al-Ahli, i cili strehon qindra pacientë dhe staf mjekësor”, tha ai.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta