Kryedemokrati Sali Berisha ironizoi kryeministrin Edi Rama, në fjalën e tij në mitingun që çeli fushatën e PD-s për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në përgjigje të komenteve të Ramës, që vazhdimisht e cilëson ‘bufi plak’, Berisha tha se vitet “forca e burrit matet me dashurinë dhe pasionin që ka për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij”. Vetë tha se është bio, ndërsa kryeministrin e krahasoi me gjyshin e Gramoz Ruçit.

“Edvin, vitet e Sali Berishës janë që të gjitha bio. Edvin, me atë vetting për të cilin mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës. Sa i përket moshës, ju garantoj se ai, s’e keni njohur ju, por unë e mbaj mend, ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit. Nuk e di ti, se ti vjedh gjithë ditën, por forca e burrit matet me dashurinë dhe pasionin që ka për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij”.

FJALA E PLOTE:

Të dashur demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, qytetare dhe qytetarë të Tiranës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju burrave dhe grave fisnikë, njerëz të mrekullueshëm që e keni bërë sot këtë shesh më të bukurin e Shqipërisë, më të bukurin në Europë.

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta kandidatëve të Aleancës së Shqipërisë Madhështore, të rinjtë, të reja, burra dhe gra, krenaria jonë, krenari për kombin.

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta zotit Chris LaCivita, kryetari i Komitetit të Partisë Republikane, bashkëarkitektit të rikthimit më të madh, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, rikthimit të presidentit Donald Trump.

Në jetën time kam mbajtur shumë fjalime, por sonte jam më i emocionuar se asnjëherë kur ju shoh ju, njerëz të lirë, burra dhe gra fisnikë, që i keni dhënë sot këtij sheshi energjinë dhe entuziazmin e fitores sonë.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj.

Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të.

E dashurisë për familjen.

E atdhetarisë tuaj.

E idealeve të lirisë.

Miq, imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë.

Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin.

E shumë e presin.

Edi Rama, sonte e kë të vështirë natën.

Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore.

Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri.

Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë.

Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste.

Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë.

Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare.

Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur.

Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju.

Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë.

Ja ku jemi sot, të ngritur si Feniksi nga hiri në zenit për të shkuar drejt fitores.

Miqtë e mi, ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë.

Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi.

Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura.

Të dashur miq, 12 vite ishin vite të rënda për çdo shqiptar.

Sot, një në dy familje nuk ka një fëmijë në vatrën e vet, por e ka në rrugët e botës.

Sot 700 mijë pensionistë qajnë pothuajse çdo ditë me lot të ftohtë mjerimi.

Sot mijëra e mijëra të sëmurë nuk marrin ilaçet dhe mbështeten në mëshirën e sëmundjes në shtratin e spitaleve tona.

Sot, qindra mijëra familje shqiptare nuk marrin drejtësi.

Sot qindra mijëra biznese falimentojnë njëra pas tjetrës, qindra mijëra vende pune shkatërrohen nga narkoeurot e trafikantëve të Edi Ramës.

Sot sirenat për të ndryshuar Shqipërinë bien në të katër anët e dheut.

Sot Shqipëria pret me padurim ndryshimin e madh.

Pret me padurimin projektin e madh, projektin më të bukur që ka njohur në histori, projektin e Shqipërisë Madhështore.

Miqtë e mi, këto ditë, këtë muaj, në këtë fushatë, ndeshen dy botë, ndeshen dy filozofi, ndeshen dy projekte.

Në njërën anë janë ata të cilët e grabitën dhe e plaçkitën Shqipërinë dhe shqiptarët sa asnjë pushtim tjetër në histori.

Miq, Shqipëria është e sëmurë. Kjo sëmundje quhet Edi Rama.

Kjo sëmundje quhet Edi Rama.

Kjo sëmundje quhet Edi Rama.

I tmerruar nga e vërteta, i tmerruar nga transparenca, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë, ka dy muaj që flet me vete, ka dy muaj që ka frikë.

Por miq, u përpoq me çdo mënyrë, u përpoq me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, me çdo gjë, që Shqipëria të mos kishte opozitë.

Ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë.

Edi Rama vazhdon avazin e vjetër.

Edi Rama vazhdon mashtrime, shpifje dhe trillime.

Por për 12 vite shqiptarëve nuk u tregon dot një gjë, një vepër, sepse kudo ka vjedhur, ka vjedhur dhe vetëm ka vjedhur.

Lufta e tij me PD-në, trashëgiminë e saj, është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës.

Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është partia e pluralizmit politik.

Ky flamur është flamuri i pluralizmit politikë.

Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është partia që përmbysi diktaturën komuniste, vendosi demokracinë dhe ekonominë e tregut.

Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është parti që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO dhe nxori Shqipërinë nga terri dhe errësira.

Është partia që çau malet dhe bashkoi kombin me Rrugën e Kombit.

Është partia që dyfishoi rrogat dhe pensionet dhe e nxori Shqipërinë nga humnera e varfërisë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Kjo parti është partia që liberalizoi vizat e shqiptarëve, suksesin e tyre të jetës, i nxori nga izolimi evropian.

Kjo parti është partia e projekteve më të mëdha, më të mëdha në historinë e Shqipërisë, por edhe në rajon edhe më gjerë, si TAP dhe Kaskada e Devollit.

Miqtë e mi, kjo parti ka paraqitur një program në të cilin jo më vetëm vepra të caktuara, por Shqipëria e tërë do jetë madhështore, madhështore, madhështore.

Edi Rama me propagandën etij përpiqet nga mëngjesi gjer në darkë, i qan hallin kalorësit se i varen këmbët, i qan hallin Sali Berishës për vitet e tij.

Tani do i them këtu para jush, Edvin, vitet e Sali Berishës janë të gjitha vite bio.

Vetingu që i bëri me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë.

Edvin, me atë veting, të cilin e nise si e nise, mund të them se nder më bëre, u tregove

shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës.

Miq, për sa i përket moshës, ju garantoj se ai, nuk e keni njohur ju, por unë e mbaj mend, ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit.

Ndaj dhe nuk e di ti, se vjedh gjithë ditën, por forca e burrit matet, fuqia e një burri matet me dashurinë dhe pasionin që ka ai për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij.

Nuk jam kthyer unë për pushtet, jo, jo.

Unë kam qenë në pushtet dhe kam lënë ato që ti nuk i shuan dot.

Nuk jam kthyer unë për para. Jo dhe jo. Shqiptarët e panë se cili ishte vetingu i Sali Berishës.

Nuk jam kthyer unë për luks. Jo dhe jo.

Dije, në moshën time, kur kam ardhur në këtë stad të jetës, këtë eksperiencë, këtë dashuri, këtë respekt që kam për njerëzit, dua t’ua kushtoj atyre, dua t’ua kushtoj fëmijëve të tyre, dua t’ia kushtoj këtij projekti që pushton çdo ditë e më shumë mendjet dhe zemrat e tyre.

Dua që së bashku me ta, ashtu siç përmbysëm diktaturën e baballarëve të tu, ashtu siç vendosëm tregun dhe demokracinë, ashtu siç anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ashtu siç transformuam Shqipërinë, të ndërtojmë tani Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë më të bukur që shqiptarët kanë pasur në tërë historinë e tyre.

 

Ndaj dhe ne këtë projekt do ta nisim jo me patronazhistët siç e nis, jo me ata ministrat dhe klanin tënd, ata oligarkët që mban përreth dhe plaçkit në mënyrë të pamëshirë këtë vend, por do ta nisim me ata që numërojmë kafshatën, do ta nisim me ata që qajnë me lot mjerimi, do ta nisim me ata 780 mijë burra dhe gra që i ke katandisur si askush tjetër në Europë.

Do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo të papunë, për çdokënd në ndihmë ekonomike.

Ne jemi partia e rritjes dhe dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, ne do i rrisim dhe do i dyfishojmë ato.

Shqipëria e punës, Shqipëria e njerëzve të paguar, Shqipëria e njerëzve që prodhojnë, Shqipëria e njerëzve të suksesit është qëllimi i projektit tonë.

Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta që ekzistojnë në Europë dhe në botë, në mënyrë që ju me mundin, me djersën tuaj të begatoheni, të mëkëmbeni, të pasuroheni.

Miqtë e tu nuk ka një vend të dytë të pasur si Shqipëria, nuk ka 28 mijë kilometra katrorë që të ketë pasuritë e saj përrallore.

Sot, ato shfrytëzohen nga Edi Rama dhe oligarkët e tij njëlloj si në sistemin më të egër kolonial.

Nesër ato do të kthehen në pasuri për ju, për fëmijët tuaj, për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë e të ardhmes.

Pastrimi i shtëpisë edhe njëherë, Zoti e do Shqipërinë kur ne ta pastrojmë atë.

Zoti vjen në shtëpi kur ne ta pastrojmë atë.

Ndaj dhe u garantoj se zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë.

Të dashur miq, njeriu i lirë, njeriu i punës, njeriu i ndershëm nuk ka armik më të egër se korrupsionin e qeveritarëve të tij.

Korrupsioni vret mundësitë e të rinjve, vret mundësitë e njerëzve,

Korrupsioni mbjell krimin dhe pasigurinë.

Korrupsioni mbjell skamjen dhe varfërinë.

Jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se zero tolerancë ndaj shpërdorimit dhe vjedhjes së

pasurive të tyre, parave të tyre.

Jam këtu për t’u dhënë fjalën shqiptarëve se auditi i përgjithshëm i narkoshtetit do u rikthejë shqiptarëve qindra miliona euro më shumë të vjedhura prej tyre.

Jam këtu para jush për t’u zotuar se organizatat kriminale kudo që janë, në Shqipëri, në Aruba, Dubai, kudo që ndodhen, do vendosen përpara ligjit dhe bashkë me ta ministrat kriminelë, ministrat hajdutë.

Ligji dhe vetëm ligji, të drejtat e qytetarëve, shteti ligjor, janë dhe do mbeten motoja jonë.

Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore është vetëm Shqipëria e ëndrrës së këtyre të rinjve.

Ndaj dhe Shqipëria do jetë madhështore kur ta shndërrojmë në epiqendër të teknologjive më të larta.

Kur ta vendosim Shqipërinë në trenin e revolucionit të teknologjisë së lartë, ta shndërrojmë atë në epiqendër të dataqendrave, të inteligjencës artificiale, të kriptomonedhave, të internetit 3.

Pra, a mund t’i bëjë këto një njeri që mbyll TikTokun?

Ky burrec 2 metra i gjatë ka frikë nga të rinjtë, ka frikë nga teknologjia, ka frikë nga rinia.

11 maji është fundi i tij.

Epërsia, forca jonë janë të pakrahasueshme me krahun tjetër.

Nuk kanë të krahasuar.

Ata janë peng të shpirtrave të tyre mëkatarë.

Ata janë peng të dosjeve të tyre.

Ju lutem, krahasoni pak këta deputetë me Lubitë, me Damianët, me Bushkat, me Dushkat, me radhë e me radhë.

A kanë të krahasuar? Nuk kanë asnjë krahasim.

Le të ndalemi diku tjetër.

A nuk menduan se na zhdukën nga faqja e dheut, por ja ku jemi sot më të fortë se kurrë.

Sepse ne jemi njerëz të besimit, tek besimi te vlerat, të besimit te liria, të besimit tek familja, të besimit tek Shqipëria, të besimit tek Zoti.

Njerëzit e besimit janë njerëz të pathyeshëm.

Njerëzit e besimit janë njerëzit e të pamundurave.

Ndaj miqtë e mi, 30 ditë kanë mbetur.

Le të harrojmë lodhjen, le të lëmë mënjanë gjumin, të lëmë mënjanë dëfrimin, të gjithë në fushatë nga mëngjesi gjer në darkë.

Kjo është rruga drejt fitores.

Rruga duke trokitur në çdo mendje dhe në zemër, duke takuar çdo të njohur dhe të panjohur, të bindur se Shqipëria Madhështore nuk është një program për pushtetin e Sali Berishës.

Është një projekt për çdo shqiptar, për çdo atdhetar, është nj projekt për çdo njeri që i thotë lirisë, liri dhe dinjitetit dinjitet.

Çfarë kërkojmë ne?

Po kërkojmë që Shqipërinë ta bëjmë të jetueshme.

Po kërkojmë që Shqipëria të krenohet me prodhimet e saj.

Po kërkojmë që të rinjtë e saj të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri dhe jo të ëndërrojnë të ikin nga Shqipëria.

Ndaj dhe le të bëjmë këtë muaj, muajin e përpjekjes të jetës sonë.

Muajin e vendimeve më të rëndësishme të jetës sonë.

Muajin për t’u dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve fitoren.

Me 12 maj të mblidhemi në këtë shesh të festojmë së bashku për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë që meritojmë.

11 maji është dita e votës së lirë.

Të dashur miq, sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien në të gjithë Europën.

Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua narkoshteti.

Zotimi solemn se shqiptarët do votojnë të lirë.

Dhe unë i them Edi Ramës, mos prek votën se në mënyrë absolute mbi tokë vend nuk do kesh.

Jo!

Largohu me votë se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi dhe këtij kombi.

Po ikën me turp si e keqja më e madh pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve.

Ndaj dhe i përshëndes të gjithë ata socialistë që kanë vendosur të bashkohen me ne.

I përshëndes të gjithë shqiptarët që së bashku Shqipërinë e dhimbjes, ta shndërrojmë në Shqipëri normale, Shqipërinë e qetë, Shqipërinë e gëzimit.

Shqipërinë e dhunës dhe terrorit politik në Shqipërinë e lirive politike.

Shqipërinë e zhgënjimit dhe dëshpërimit në Shqipërinë e shpresës dhe besimit. Në Shqipërinë e të ardhmes.

Rrofshi ju, rroftë PD.

Rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta