
Prokuroria Berat kërkon tre vite burg për babanë dhe dy për gjyshen, të cilët keqtrajtuan të miturin duke e detyruar të publikojë video banale në rrjetet sociale.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat kërkon deklarimin fajtor të shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula për kryerjen e veprës penale ‘keqtrajtimi i të miturit’ parashikuar nga neni 124/b/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, vlerësohet se akuza e ngritur në ngarkim të të pandehurve është tërësisht e provuar, ndaj gjatë pretencës Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, kërkon deklarimin fajtor të babait dhe dënimin e tij me 3 vite burgim si dhe dënim plotësues ‘Humbjen e përgjegjësisë prindërore’. Ndërsa për gjyshen dënimin me 2 vite burgim.
Të dy të pandehurit, nënë e bir, kanë keqtrajtuar djalin e mitur, kanë komunikuar me fjalë banale me të miturin dhe e kanë detyruar dhe të flasë në të njëjtën mënyrë në rrjetet sociale ‘Youtube’ dhe ‘TikTok’.
Gjatë seancës vlerësuese është arritur në përfundimin se i mituri ka qenë i kërcënuar vazhdimisht dhe është ndjerë nën presion nga babai dhe gjyshja si dhe është ekspozuar në rrjetet sociale në mënyrë abuzive me gjuhë dhune dhe fjalor denigrues i cili nuk është i përshtatshëm për moshën në të cilën ndodhet i mituri.
Po kështu, i mituri është ekspozuar kundrejt lëndëve narkotike, gjë e cila është e papranueshme për moshën që fëmija ka. Ai është nxitur nga gjyshja dhe babai i tij për t’u bërë pjesë e rrjeteve sociale Tik-Tok në video pa dëshirën e tij, gjë e cila ka ndikuar në gjendjen e rënduar emocionale të fëmijës së mitur.
Bullizimi që ushtrohet duke iu drejtuar me epitete të ndryshme gjithashtu kanë rënduar gjendjen e tij psikologjike.
Sipas Prokurorisë, në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, arrihet në përfundimin se, ka prova të mjaftueshme se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën u akuzuan.
Ata kanë kryer veprime të cilat konsistojnë në keqtrajtim fizik dhe psikologjik të të miturit dhe detyruar këtë të fundit për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik që ka sjellë si pasojë simptoma të çrregullimit të personalitetit anti social te i mituri, duke qenë se të gjithë modelet që ai ka pasur kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e tij dhe në zhvillimin e tij si individ.
Top Channel