
Pothuajse 70% e popullatës vuan nga syri i thatë. Sipas mjekëve okulistë, teknologjia, por edhe pluhurat dhe ndotja e ambientit, kanë shtuar numrin e personave që vuajnë nga sindroma e tharjes së syrit.
Suzana Zhuka, mjeke okuliste, Qendra Shëndetësore e Specialiteteve Nr.3: “Po, vihet re një rritje e numrit të personave të moshës nga 35-40 vjeç që vuajnë nga sindroma e tharjes së syrit.”
Por si ndikon ekrani i pajisjeve elektronike në këtë sindromë?
Suzana Zhuka: “Duke qëndruar për orë të gjata në telefon, iPad, kompjuter dhe duke qenë të fokusuar, syri nuk bën atë hapjen dhe mbylljen e zakonshme për të kryer lubrifikimin. Kjo shkakton tharje të syrit.”
Cilat janë simptomat që shfaq sindroma e tharjes së syrit?
“Në darkë ankohen se hasin vështirësi në hapjen dhe mbylljen e syrit, sikur kanë rërë në sy…”
Nga ana tjetër, janë edhe një sërë diagnozash që e stimulojnë tharjen e syrit, e cila tashmë është kthyer në një sëmundje kronike.
Suzana Zhuka: “Sëmundje si artriti, diabeti, menopauza etj., e shkaktojnë këtë gjendje.”
Mjekët okulistë bëjnë thirrje që të bëhet kujdes me lotët artificialë që përdoren për sytë, pasi nuk duhet të përmbajnë konservues. Tharja e syrit duhet trajtuar sipas rekomandimit të mjekëve, pasi edhe nëse neglizhohet, mund të çojë në probleme më të mëdha, si çarja e xhamit të syrit apo probleme të tjera.
Top Channel