
PD i është drejtuar me një kërkesë KQZ-në që landidatët e PS që nuk japin dorëheqje nga posti, të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhje.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli theksoi se për secilin kandidat i cili ka zgjedhur pezullimin mbështetur në dispozita të tjera ligjore që nuk prevalojnë mbi kodin zgjedhor e as Kushtetutën e RSH, ku citohet shkurt dhe qartë “heqja dorë” , Partia Demokrative kërkon nga KQZ të mos trajtojë si të barazvlefshme “heqjen dorë” me “pezullimin” dhe të përjashtojë kandidatët.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli:
Në përgjigje të kërkesës zyrtare së Partisë Demokratike me objekt: “Dhënie informacioni”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqiti listën me emrat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste të cilët kanë deklaruar pezullimin apo dorëheqjen nga funksioni përkatës nëpërmjet deklaratës së pranimit të kandidimit sipas modelit përkatës miratuar me Udhëzimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 2, datë 22.01.2025.
Konkretisht sipas KQZ janë deklaruar të pezulluar apo dorëhequr nga funksioni vetëm 35 kandidatë nga lista e plotë e kandidaturave të PS.
Partia Demokratike po ndjek me vëmendje zbatimin e detyrimeve ligjore për të gjithë kandidatët e jo vetëm këta 35, e në këto kushte :
Ju ridrejtua KQZ për të verifikuar ligjshmërinë e kandidimit për të tjerë zyrtarë të lartë të cilët nuk janë pjesë e listës me 35 emrat të administruar nga KQZ, duke mos konsideruar standartin ligjor.
Në përmbushje të nenit 69 të Kushtetutës së RSH dhe sa i takon Kodit Zgjedhor si ligje supreme mbi të gjitha ligjet e tjera, dhe përmbushjes së nenit 63 pika 4/g të tij, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë taksative “heqjen dorë” si detyrim ligjor që duhet të përmbushet nga secili kandidat, që do të thotë largimin nga detyra shtetërore dhe nuk ka lënë asnjë hapsirë opsionale si “pezullimi” që nënkupton ndalimin përkohësisht të funksionit ose ndërprerjen e tij për një farë kohe për tu rikthyer në detyrë në pamundësi të fitores së mandatit të deputetit.
Prandaj, për secilin kandidat i cili ka zgjedhur pezullimin mbështetur në dispozita të tjera ligjore që nuk prevalojnë mbi kodin zgjedhor e as Kushtetutën e RSH, ku citohet shkurt dhe qartë “heqja dorë” , Partia Demokrative kërkon nga KQZ të mos trajtojë si të barazvlefshme “heqjen dorë” me “pezullimin” dhe të përjashtojë kandidatët për këto arsye:
a.moszbatim të Kushtetutës së RSH neni 69;
b.moszbatim të Kodit Zgjedhor të RSH, nenin 63 pika 4/g;
c. moszbatim të Udhëzimit të KSHZ nr.2 datë 22 Janar 2025, “Për Përcaktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit…….”,
d. moszbatim të Deklaratës për pranimin e kandidimit;
dh.sqarimit mbi mënyrën e plotësimit të dokumentit Deklaratë e Kandidadit për hapje llogarie bankare të posaçme,
e. Parandalimin e përdorimit të aseteve dhe burimeve njerëzore të institucionit për qëllime zgjedhore sipas nenit 91 të Kodit Zgjedhor cilësuar njëkohësisht si vepër penale parashikuar nga neni 328/a i Kodit Penal të RSH , nga kandidatët e njëkohësisht titullarë të padorëhequr por të pezulluar momentalisht me potencial rikthimi pas rezultatit zgjedhor.
Kategoritë e funksionarëve shtetërorë të përcaktuar në nenin 69 të Kushtetutës nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra.
Mandati i fituar në kundërshtim me sa më lart është i pavlefshëm dhe PD po ndjek e do vijojë me secilin rast.
Top Channel