
“Shqipëria është grua”, u shpreh kryesocialisti Edi Rama, në takimin “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, që çeli fushatën zgjedhore të PS-së.
Rama foli me krenari për mbështetjen e grave për Partinë Socialiste. Sipas tij, 56% e zgjedhësve gra dhe vajza në rang vendi mbështesin PS-në. Burrat që mbështesin të majtën janë më pak në numër, u shpreh kryeministri, por ky fakt nuk e shqetëson, pasi sikurse tha “mes dy palëve nuk ka diskutim që zgjedh të parat nënat, vajzat”.
“Të dashura nëna, motra, bija kudo ku jeni. Sot jemi mbledhur njëkohësisht në të 12 qarqet e vendit, ku zhvillohen 12 garat e përballjes elektorale për kuvendin e ardhshëm për të nisur zyrtarisht fushatën e 11 majit. Duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha forcat komando të forumit të gruas, menduam se më e udhës ishte të mblidheshin drejtueset dhe koordinatoret për të përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë: Shqipëria është grua! Europa është grua dhe suksesi për Shqipërinë 2030 varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë, nuk ka asgjë që më bën më shumë krenarë se sa fakti se kjo parti politike mbështetet nga gratë. 56% e zgjedhësve gra dhe vajza në rang vendi mbështesin PS, në disa qarqe është më e lartë. Te burrat, kjo % është më e ulët. Mbështetjen më kuptimplotë të pjesës më të ndjeshme, të pjesës më të arsyeshme, të pjesës më sakrifikuese të popullit shqiptar, nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër, mbështetjen e burrave dhe djemve. Mes dy palëve nuk ka diskutim që zgjedh të parat nënat, vajzat. Sot, në ditën e rënies së gongut të fushatës, nuk do ta nisnim këtë etapë përveçse kështu me gratë dhe vajzat, që duke e njohur nga brenda organizimin e PS, mendoj se meritojnë të gjuhet komandot e armatës sonë në rang vendi, madje dhe jashtë Shqipërisë. Ju falënderoj të gjithave ju në këtë sallë dhe në 11 sallat e tjera”.
Top Channel