
Gjatë takimit ”Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, kryeministri Edi Rama foli për ndryshimet në vendin tonë gjatë tre mandateve në krye të qeverisë.
Rama përmendi rastin e Kamzës dhe kontributin e vajzave dhe grave në këtë bashki, që sipas tij, përmbysën realitetn e zymtë të zonës. “Ajo që gratë dhe vajzat mund të sjellin për Shqipërinë përmes PS-së është një vlerë e shtuar, që burrat dhe djemtë nuk e krijojnë dot pa vajzat dhe gratë”, tha kryesocialisti.
“Kjo për të gjithë ata që e kanë idenë se me çfarë lidhej fjala Kamëz para ca vitesh. Është pasqyra e një realiteti komplet të ri, falë pranimit dhe mobilizimit të grave dhe vajzave, PS ka krijuar vlerën e shtuar atje që ka përmbysur realitetin e zymtë të asaj zonë. Sot, jo vetëm që është e imagjinueshme, por është reale. Dhe nëse ajo që deri dje mund të dukej një mrekulli e parealizueshme në praktikë, është bërë reale në Kamzën e burgosur me dekada brenda mureve të një patriarkalizmi asfiksues. Ju të parat duhet të jeni më të bindura se askush tjetër se nuk ka pikë, nuk ka mal, nuk ka qendër, nuk ka periferi, ku nuk mund të ndizet drita e barazisë gjinore, që e ka bërë PS-në e Kamzës një skuadër kampione. Ajo që gratë dhe vajzat mund të sjellin për Shqipërinë përmes PS-së është një vlerë e shtuar, që burrat dhe djemtë nuk e krijojnë dot pa vajzat dhe gratë. Fakti është që kudo dhe kurdo që burrat dhe djemtë ndjekin të njëjtën rrugë që ka ndjekur Rakip Suli, duke iu besuar vajzave, si ‘dibran i qut’. Shumë përgjegjësi, rezultatet janë mbreslënëse”.
Top Channel