
Projektin e Partisë Demokratike për 11 majin, kryedemokrati Sali Berisha e quan projektin e Shqipërisë Madhështore.
Duke krahasuar projektin e opozitës me atë të Partisë Socialiste, Berisha tha se janë dy filozofi që ndeshen me njëra-tjetrën, teksa kryeministrin Edi Rama e quajti “sëmundje për Shqipërin”.
“Sot, Shqipëria pret me padurim ndryshimin e madh, pret projektin e madh, projektin më të bukur që ka njohur në histori, projektin e Shqipërisë Madhështore. Sot, dy botë, dy filozofi, dy projekte ndeshen. Në një anë janë ata që në 12 vite e sollën Shqipërinë në këtë ditë. Ata që e grabitën Shqipërinë dhe shqiptarët sa asnjë pushtim tjetër në histori. Shqipëria është e sëmurë, kjo sëmundje quhet Edi Rama”.
Berisha akuzoi Ramën se ka tentuar të përçajë opozitës, por shtoi se nuk ia ka dalë.
“I tmerruar nga e vërteta, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë dhe flet me vete. Ka dy muaj që ka frikë, por miq, u përpoq me çdo mënyrë, u përpoq me arrestime, korrupsion, përçarje që Shqipëria të mos kishte opozitë. Ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë. Edi Rama vazhdon avazin e vjetër, Edi Rama vazhdon mashtrime, shpifje, trillime, por për 12 vite shqiptarëve nuk u tregon dot një vepër, sepse kudo ka vjedhur”.
Lufta e Ramës me PD-në, e cilësoi luftën e Don Kishotit me mullinjtë e erës.
“Çfarëdo që të bëjë, kjo parti është parti e pluralizmit politik. Është partia që përmbysi diktaturën, vendosi demokracinë dhe ekonominë e tregut. Është parti që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, në KiE. Partia që nxori vendin nga errësira. Partia që dyfishoi rrogat e pensionet e nxori Shqipërinë nga rruga e varfërisë. Është partia që u liberalizoi vizat shqiptarëve. I nxori nga izolimi europian. Është partia e projekteve më të mëdha, e TAP, kjo parti ka paraqitur para shqiptarëve një program që Shqipëri të jetë madhështore”.
Top Channel