“Ditët e Studimeve Shqiptare”/ UET zhvillon për të 12-in vit konferencën shkencore

11/04/2025 15:23

Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi për të dymbëdhjetin vit Konferencën Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare”.

95 punime shkencore me autorë nga Mbretëria e Bashkuar, vende të ndryshme të Europës dhe SHBA, u prezantuan në këtë konferencë, me fokus në nxitjen e inovacionit dhe agjendën e re konkurruese të Bashkimit Europian.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Selami Xhepa, në një kohë kur Shqipëria po përgatitet të bëhet pjesë e BE-së, theksoi se kjo është një arsye e rëndësishme për të trajtuar ndryshimet dhe transformimet që do të pësojë shoqëria shqiptare në ekonomi, industri, tregje dhe sektorë të tjerë.

Ndërkohë që Shqipëria përgatitet për këtë tranzicion, bota ndërkombëtare ndodhet në mes të proceseve të reja ekonomike dhe politike, e kërcënuar nga luftërat tarifore.

Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, President i UET:

“Por kishim shumë arsye të mira për të ftuar studiuesit të diskutonin çështjet e integrimit në BE dhe zhvillimet e pritura, që do të kenë një fuqi transformuese për shoqërinë shqiptare, politikën dhe ekonominë e saj. Raporti mbi konkurrueshmërinë, ose raporti Draghi, i publikuar vitin e kaluar, trajton këto shqetësime dhe po shërben si një mjet për ndryshime politikash në BE, më konkretisht duke nxitur reforma në politikat e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit, pa përdorur asnjë rritje tarifash.”

Prof. Xhepa shtoi se integrimi në BE do të shërbejë si një motor ndryshimesh pozitive dhe reformuese për vendin tonë.

Sipas rektores së Universitetit Europian të Tiranës, ky është një moment kyç për komunitetin akademik dhe shkencor, pasi tema e kërkimeve shkencore jo vetëm që pasqyron ndryshimet, por iu kujton universiteteve rolin që duhet të luajnë në formësimin e së ardhmes.

Prof. Dr. Drita Kruja: “Ne duhet të jemi të gatshëm të udhëheqim, të propozojmë zgjidhje dhe të veprojmë drejt një të ardhmeje moderne, gjithëpërfshirëse dhe europiane.”

Prania e më shumë se 200 autorëve në këtë konferencë – nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Portugalia, Holanda, Italia dhe rajoni – i dha konferencës një frymë ndërkombëtare dhe perspektivë globale, vlerësoi rektorja Kruja.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës, i cili është partner i UET në një nga projektet “Jean Monnet”, të financuar nga Bashkimi Europian.

Prof. Francesco Privitera, Universiteti i Bolonjës: “Investimi në proceset trajnuese në këtë rajon dhe transformimi i rrjeteve lokale të universiteteve është esencial për të siguruar një përshpejtim të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.”

Ndërkohë që ka hyrë në procesin e ndërkombëtarizimit për studentët e huaj, UET prej vitesh është pjesë e partneriteteve dhe shkëmbimeve akademike, duke zënë vendin e parë në rajon për fitimin dhe zbatimin e projekteve europiane me ndikim të gjerë në vend dhe rajon.

I pranishëm në hapjen e kësaj konference ishte drejtori i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Herbert Perr; drejtuesja e Njësisë për Planifikimin Strategjik dhe Programet Zhvillimore në Kryeministri, Oriana Arapi; si dhe drejtuesja e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, Eridana Cano.

Hapja e kësaj konference shkencore përkoi me përmbylljen e dy projekteve trevjeçare “Jean Monnet”, të financuara nga Bashkimi Europian.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta