Mbante luanin në shtëpi, policia procedon pronarin në Zharrëz, 52-vjeçari: E gjeta në rrugë dhe e rrita, por më ngordhi para një muaji

10/04/2025 11:41

Policia ka reaguar sërish në lidhje me videon e publikuan një ditë më parë në rrjetet sociale, të kthyer menjëherë virale, ku shfaqej një luan në ambientet e një shtëpie në Zharrëz të Fierit.

Policia sqaron se në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një luan që kafshon një shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për përcaktimin e përgjegjësisë dhe zbardhjen e rrethanave.

Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën, në banesë, në kundërshtim me rregullat.

Shtetasi A. H. ka deklaruar se kafshën e ka gjetur në Lushnjë, në rrugë, 6 muaj më parë, kur ajo ishte e vogël dhe e ka mbajtur në banesën e tij, për disa kohë. Më tej, ai ka deklaruar se para 1 muaji e gjysmë, kafsha ka ngordhur.

Punohet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta