Legalizuan në kundërshtim me ligjin tre objekte në Palasë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq zyrtatët e ASHK-së, kryetarin e fshatit dhe ndërtuesit

10/04/2025 13:01

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq për veprat penale ‘Falsifikim të dokumenteve’, ‘Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ 17 persona, zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), kryetarin e fshatit Palasë dhe ndërtuesit.

Konkretisht: Klodian Troci, Erdet Mandi, Mandi Jaho, Teuta Meçe, Erald Ymeraj. Fatjon Devollaj, Ariseldo Rrapaj Taulant Hasanaliaj, Stela Rrapaj, Denis Metaj.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.814 të vitit 2020 rezultoi se shtetasit A.V., A.L. dhe F.K, kanë ndërtuar pa lejen e organeve kompetente 3 objekte, 2-katëshe në fshatin Palasë, Himarë, për qëllime fitimi. Këta persona gjatë kohës që kryenin ndërtimin e objekteve pa leje kanë aplikuar në ASHK-në Vlorë për legalizimin e tyre dhe kanë depozituar dokumente të falsifikuara në dosjen e legalizimit, raporton korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi.

Për këtë arsye, shtetasit A.V., A.L. dhe F.K. janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi, është marrë i pandehur edhe kryetari i Kryesisë së Fshatit Palasë, shtetasi O.Dh. për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, si dhe tre ekspertët I.T., E.P. dhe D.M., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin dhe në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, pasi kanë hartuar dokumentacion me të dhëna të rreme në përmbajtjen e tyre.

Në këto dokumente janë paraqitur të dhëna të rreme përsa i përket kohës së ndërtimit me qëllim që ato të përfshihen në procedurat e legalizimit, e më pas këto dokumente janë dorëzuar nga të pandehurit A.V., A.L. dhe F.K pranë ASHK-së Vlorë dhe janë bërë pjesë e dosjes së legalizimit.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta