Sfidat e grave në politikë/ Grida Duma: Për vështirësitë, mund të flas personalisht! I di problemet e lobimit financiar, e pabarabartë gara me burrat

09/04/2025 22:33

Përfshirja e grave në politikë nuk është vetëm një çështje barazie, por edhe një faktor që mund të ndryshojë natyrën e politikës vetë, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse, më etike dhe më të orientuar drejt mirëqenies së shoqërisë.

Ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor në korrikun e vitit të kaluar kërkoi respektimin e kuotës gjinore jo vetëm në listat e mbyllura, por edhe në lista të hapura. Në respekt të këtyre ndryshimeve, partitë e mëdha janë angazhuar ta plotësojnë edhe në listën e hapur, ku ajo çka bie në sy është se një pjesë e mirë e grave deputete aktualisht është në zonën jo të sigurt të garës.

Në Shqipëri, numri i grave të përfshira në postet parlamentare është mbi mesataren europiane. Numri përfaqëson një rritje të konsiderueshme krahasuar me periudha më të hershme duke pasqyruar përpjekjet për të arritur më shumë barazi gjinore në politikë. Por gra drejtuese partish në historinë e vendit kanë qenë vetëm katër, ndërkohë që postet më të larta në politikë janë kryetarja e Kuvendit dhe poste ministrore, por Shqipëria nuk ka pasur në vitet e demokracisë një kryeministër grua. Por, sa e vështirë është sot për gratë kandidate të garojnë njësoj me burrat për të fituar një post në Parlament?

Në nisje të emisionit “Top Story”, autorja dhe moderatorja Grida Duma foli për vështirësitë që hasin gratë në garën elektorale e që sipas saj, nisin me sfidat financiar.

“Se sa e vështirë mund të jetë për gratë kandidatë të fitojnë një vend në parlament, mund të flisja personalisht gjatë për çështje që kanë rëndësi jo letrare, por praktike, që nga financimi i partive politike, nga mundësitë e grave si një oportunitet për të bërë lobime financiare dhe nga e vërteta e politikës që nuk e kemi thënë mjaftueshëm, që e vërteta e politikës është e tillë që çdo fushatë kërkon para. Dhe paratë që kërkohen në fushata lidhen me strukturën e shoqërisë, që nëse do të bënim një renditje të fuqizimit të gruas nga pikëpamja ekonomike, do të kuptonim sa të vështirë e kanë gratë të bëjnë garime sidomos në listat e hapura. Për këtë arsye, kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për gratë që bëjnë politikë, jo sepse goditen më shumë a më pak, por nuk kemi folur mjaftueshëm për atë që është gara financiare në partitë politike, ku gratë vështirësinë e lobimit financiar, nuk e kanë të vogël”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta